SHBA, tarifa ndaj Kinës më 1 shtator

0
17

Një sërë produktesh kineze me vlerë 150 miliardë dollarë pritet të dielën të tarifohen më lart nga autoritetet amerikane. Uashingtoni thotë se mbetet i vendosur ta vijojë luftën tregtare nëse nuk arrihet marrëveshja për përfitime reciproke. 

Shtetet e Bashkuara të dielën do të rritin tarifat mbi 150 miliardë dollarë produkte kineze, duke e përshkallëzuar më tej tensionet tregtare dypalëshe.

Presidenti i vendit, Donald Trump, njoftoi të premten se Uashingtoni nuk tërhiqet për të tarifuar me 15 për qind produktet si televizorët, këpucët, orat dhe instrumentet muzikore të prodhuara në Kinë.

“Tarifat na kanë vënë në një pozicion të pabesueshëm në negociata, dhe Kinës dua t’ia them drejtpërdrejt se situata vetëm do të përkeqësohet. Sapo mësova se 13 për qind e kompanive do ta braktisin vendin. Nga tarifat po përfitojnë fermerët tanë, të cilët duan që unë ta fitoj këtë betejë, dhe kështu do të ndodhë,” deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Dy superfuqitë ekonomike kanë paralajmëruar bisedime të reja gjatë muajit shtator.

Nga prilli i vitit 2018, SHBA-ja ka rritur tarifat mbi gati 250 miliardë dollarë importe kineze, ndërsa Kina ka reaguar me kundërtarifa mbi 110 miliardë dollarë produkte amerikane.

Mbi 150 miliarda dollarë importe të tjera kineze do të aplikohen tarifa më të larta prej 15 dhjetorit.

Dhoma amerikane e Tregtisë ka deklaruar se tensionet tregtare mund ta çojnë vendin drejt recesionit, ndërsa mbi 200 firma të prodhimit të këpucëve i kanë kujtuar presidentit Trump se tarifat do rëndojnë mbi qytetarët, me një vlerë gati 4 miliardë dollarë në vit.

Zjarr Tv Ad