Ka nisur në Kuvend seanca ku do të vendoset për shkarkimin e Presidentit të Ilir Meta, ndërsa Kryeministri Edi Rama, jo vetëm që do të jetë i pranishëm, por do të mbajë dhe një fjalim prej 30 minutash. Në listën e diskutantëve, Rama është deputeti dhe përfaqësuesi i qeverisë që do të ketë kohën më të madhe në dispozicion për të folur.
Ai është kthyer sot nga një vizitë zyrtare në Bullgari, ku mësohet se ka zbritur në Rinas mëngjesin e sotëm, ku gjatë rrugës ka përgatitur dhe fjalimin për ish-aleatin e tij qeverisës Ilir Meta, me të cilin rrugët politike duket se po ndahen përgjithmonë sot.
Në nisje të seancës është kreu i komisionit hetimor për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni, ai që po lexon gjetjet, si dhe shkeljet e kushtetutës që sipas tij, i ka bërë Presidenti Kushtetutës, me qëndrimet e tij.
Sipas Komisionit, janë rreth 30 shkelje të rënda që Presidenti i ka bërë Kushtetutës, duke mos qenë i paanshëm në muajin e fushatës elektorale, ku pretendohet se ka bërë thirrje dhe për dhnuë.
Pavarësisht votimit që do të bëhet sot në Kuvend, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thojë fjalën e fundit për shkarkimin e Metës, ndërkohë që vendimi pritet të sjellë sërish një ngërç dhe përplasje mes institucioneve.




