Në seancën e kuvendit të Shqipërisë që u mbajt ditën e sotme, ka mbajtur fjalën e tij edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në fjalën e tij, Balla foli për ankimimet që po i bëhen procesit zgjedhor dhe më tej ai ftoi sërish për bashkëpunim opozitën, duke bërë thirrje që të bashkohen në shtator dhe të ndëshkojnë të gjithë zyrtarët e korruptuar, duke vijuar me reformën zgjedhore.
“Meqë këtu u prek nga disa deputetët çështja e zgjedhjeve, më lejoni t’iu them se procedurat ankimore që subjektet zgjedhore po kryejnë, po marrin kohën e tyre. Koha në dispozicion është pa limit dhe falë zotit çdo parti politike nuk do të ketë më gojë në fund të këtij procesi për të mos pranuar verdiktin e qytetarëve shqiptarë. JO vetëm që verdikti ka dalë, jo vetëm që për të gjitha ankimimet kutitë janë hapur e rinumëruar, dhe është dëshmuar shumë qartë se nuk ka qoftë dhe një ndryshim të vogël, që mund të çojë në ndryshim rezultati. Falë marrëveshjes së 5 qershorit, besoj të gjitha partitë politike e kuptojnë që ky është një proces demokratik. Është në dinjitetin politik të secilëve garues që jo vetëm të njohin rezultatin, por në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri votat e shqiptarëve numëroheshin nga numërues politikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Është një hap që duhet ta hedhim. Besoj se edhe PD e LSI, ku unë besoj se do të ketë vetëm një grup parlamentar të opozitës në shtator, të fillojmë menjëherë punën për një komision të posaçëm për vijimin e Reformës Zgjedhore. Sa i përket votës së emigrantëve, ne e kemi votuar, i kemi hapur çelësat, KQZ filloi punën përgatitore, PD kërkoi kohë disa herë për të kthyer përgjigje dhe në fund nuk ktheu kurrë asnjë përgjigje.
Kush ka dyshime se PS ka pasur interesa për të penguar votën e emigrantëve, le të shkojë në arkivat e KQZ dhe të shohë se kjo që thashë unë është e vërtetë. Tashmë kemi shumë kohë përpara për të garantuar që në zgjedhjet e 2025 çdo qytetar që jeton jashtë Shqipërisë të ketë të drejtë të votojë. Një gjë tjetër që kemi lënë për ta filluar në shtator është financimi i partive dhe i fushatave. Ne duhet t’i japim KQZ dhe institucioneve të tjera të gjitha instrumentet për të monitoruar dhe vendosur pragje për shpenzime për çdo kandidat.
Ky është një proces që duhet të vazhdojë. Detyra jonë është të garantojë që ajo që nuk u realizua dot tani, vota e emigrantëve, këto të jenë të zgjedhjet e fundit ku ata nuk votuan”, deklaroi Taulant Balla.




