Aksidenti tragjik me 4 viktima dje në autostradën e Vlorës, ka shkaktuar një reagim të gjerë të opinionit publik, për ata të rinj që me “lekët e babit” blejnë makina të shtrenjta dhe kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë. shkruan newsbomb.al.
I tillë ishte dhe rasti i djeshëm. 22 vjeçari Igli Madani, djali i biznesmenit Bashkim Madani, lëvizte me shpejtësi skëterrë në autostradën e Vlorës, aq sa kur humbi kontrollin e Audit A8, mori përpara një makinë ku ndodheshin 4 anëtarë të një familje, duke i lënë të 4 të vdekur. Por, ky nuk është rasti as i parë dhe as i fundit. Të rinj që sapo kanë mbushur moshën 18-vjeç, lëvizin rrugëve të Shqipërisë me makina të modeleve të fundit, që në shumë raste i kalojnë dhe 100.000 euro; nuk pyesin as për Polici e për përdoruesit e tjerë të rrugës. Edhe Policia vetë duket e pafuqishme përballë këtyre shoferëve që “fshihen” pas emrit të prindërve, apo miqve të tyre në nivele të larta.
Mjafton të vëzhgosh për disa minuta rrjetet sociale, kryesisht Instagram dhe Tik- Tok, dhe aty do të shohësh të rinj që sfidojnë vdekjen me parakalime në rrugë me dy korsi, se në autostradë po e po,, të rinj që “ia bëjnë me drita” Policisë t’u hap rrugën sepse “e kanë me ngut”. Të tilla janë dhe dy video që po sjellim për ju, të marra spontanisht në rrjetet sociale. Mercedesa të pajisur me fenelina policie dhe “leje të posaçme” që lëvizin vetëm në korsinë e shpejtësisë dhe terrorizojnë shoferët e tjerë me drita për t’ju hapur rrugën.
Një prej mjeteve lëviz në autostradën Tiranë-Durrës dhe me fenelinë policie boshatisë korisnë e shpejtësisë, ndersa tjetri mban në xham një “Leje të Kuvendit” dhe parakalon patrullën e Policisë në krah të djathtë. Policia shqiptare nëse do që të rrisë sigurinë rrugore, duhet të angazhojë ekipet e veta apo të ndonjë Sektori që të verifikojnë dhe ndëshkojnë “çunat e babit” që s’pyesin as për shtetin.





