E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi sot po raporton para Kongresit Amerikan për përjetimet e tmerrshme që kishte kaluar gjatë luftës.
Ajo me lot në sy, me zë e duar të dridhura ka rrëfyer fije e për pe se si paramilitarët serbë e kishin marrë nga shtëpia dhe e kishin dërguar në një vend tjetër për ta dhunuar, raporton Periskopi.
Ajo pas 20 vitesh, ka kërkuar që drejtësia të bie në vend dhe të dënohen keqbërësit.
”Më hodhën në një dysheme, bërtita, ai më dhunoi. Më kujtohet gjithçka. Unë i kërkova të më vriste. Ai më tha jo, sepse kështu do të vuash më shumë”, është shprehur ajo.
“Më nxori nga automjeti dhe më çoi në një shtëpi ta pameremetuar. Aty më dhunoi një tjetër, ishte plak. Pastaj më çuan në fshatin tim dhe më lanë në rrugë”, ka rrëfyer më tej Krasniqi.
Ajo tregon se pasi u dhunua, shkoi në shtëpi dhe policët serbë i kishin kërkuar të mos u tregoj familjarëve.
“Nuk doja të shkoja në shtëpi sepse nuk doja të iu tregoja se cka më ka ndodhur. Policët serbë më mësuan që t’iu them kam dëshmuar. Por, kur arrita në shtëpinë e agjit tim nuk kisha nevojë të flisja sepse gjendja ime dihej”, është shprehur Krasniqi.
Në anën tjetër, ish presidentja Atifete Jahjaga përmendi qindra-mijëra jetë të shkatërruara nga lufta në Kosovë, duke thënë se ndjen si barrë dhimbjen e gjithë këtyre njerëzve. “Ata kërkojnë drejtësi,” tha ajo.
Zonja Jahjaga përmendi një varg krimesh që i kreu regjimi i Millosheviqit pas intervenimit të NATO-s në Kosovë.
“Për vetëm dy muaj, 1 milion shqiptarë u dëbuan nga vendi i tyre. Brenda Kosovës, kishte një kryqëzatë të vrasjeve.”
“Gjatë kohës së luftës, kishte më shumë se 100 vrasje masive të kryera nga forcat serbe, 74 prej të cilave janë regjistruar mirë.”
Më tej, Jahjaga përmendi edhe dhunën seksuale, për të cilën tha se u përdor si një mjet i luftës nga regjimi i Millosheviqit.
“Unë kam takuar qindra gra të mbijetuara të dhunës seksuale. Përvoja e tyre e frikshme është ende e gjallë. Ato ende vuajnë. Për shumë vite ato u stigmatizuan e u izoluan.”
Deri sot, sipas ish presidentes, askush nuk është dënuar për këto krime.




