Veliu: Policia e ka paguar shtrenjtë përballjen me krimin

0
40

Reagimeve në përkujtim të ditës së dëshmorëve të atdheut i është bashkuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në fjalën e tij Veliu theksoi se policia në përballje me krimin është e vetmja organizatë që ka më shumë humbje jetë njerëzish.

Veliu: Organizata e Policisë është vetmja organizatë që e ka paguar më shtrenjtë përballjen me krimin, përpjekjen për të vendosur rendin dhe sigurinë, sakrificën për të mbrojtur jetën me jetë.

Sot, ju familjarë të Dëshmorëve të Policisë nuk jeni vetëm, e nuk do të jeni asnjëherë vetëm, por jeni pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit.

Djem dhe vajza të dëshmorëve të Policisë, sot gjenden në radhët e tona për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre. 

E përherë dera e Policisë së Shtetit do të jetë e hapur, përherë Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria, do të jenë mbështetja juaj, pasi e gjithë shoqëria ndihet në borxh me ju, me veprën e të dashurve tuaj, kolegëve tanë të paharruar.

Veliu e riktheu vëmendjen në thirrjen që i bëri qytetarëve nga Shkodra për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.

Veliu: Thirrja që Policia e Shtetit i drejtoi nga Shkodra para dy ditësh komunitetit për të mbështetur dhe bashkëpunuar me Policinë, mbart brenda saj sakrificën e qindra dëshmorëve të Policisë, mbart brenda saj  ndërgjegjësimin dhe detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin, sepse  në rast se Policia e Shtetit është bashkë me qytetarin, me të rinjtë, me median, me gjithë faktorët dhe aktorët e shoqërisë, do të kemi shumë më pak Dëshmorë Policie, shumë më shumë rend e siguri, shumë më shumë shkolla të sigurta ku të mbizotërojë libri, e shumë më shumë shpresë për një të ardhme më të sigurt.

 

Zjarr Tv Ad