Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në seancën plenare ku kryeministri i vendit është ftuar të marrë pjesë në interpelancë me kërkesë të Grupit Parlamentar të kësaj partie, ka kërkuar përgjigje nga Hoti për të pagjeturit si kushtëzim për vazhdimin ose jo të dialogut. Hoti është përgjigjur, duke thënë se çështja e të pagjeturve është çështja kryesore pa të cilën nuk mund të shkohet në përmbyllje të marrëveshjes me Serbinë.“Në debatet televizive në Serbi thuhet se ekzistojnë 16 varreza masive të shqiptarëve të masakruar. A do ta kushtëzoni pjesëmarrjen e Kosovës në dialog me zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe në fillimin e hetimit zyrtar nga ana e Serbisë për fshehjen e fakteve të të pagjeturve?” ka pyetur Pacolli në adresë të kryeministrit Hoti.“Çështja e të pagjeturve na shqetëson të gjithëve si qytetarë, edhe institucione ,po bëjmë përpjekje maksimale të bëjmë progres me këtë çështje, përpjekje maksimale që të zbardhet fati i këtyre personave. Dialogu me palën serbe i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian jo rastësisht ka filluar me temën e parë që është çështja e të pagjeturve. Faktet e reja nga debatet që nxjerrin në opinion për 16 varrezat masive me trupat shqiptar në Serbi e fuqizon më shumë nevojën dhe përpjekjen për gjetjen e trupave të varrosur në serbi”, tha Hoti.



