Zv.kryeministres dhe ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, i është ndaluar hyrja në Serbi. Gërvallës i është anuluar vizita e planifikuar në Luginën e Preshevës për shkak se shteti serb nuk i ka lëshuar leje për vizitë. Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme.
“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka deklaruar se Beogradi zyrtar ka aprovuar kërkesën e një anëtari të kabinetit qeveritar të kryeministrit Kurti për ta vizituar Bujanocin dhe Preshevën.
Petkoviç ka folur nga Jarinja për aprovimin e kërkesës për vizitë në Luginë të Preshevës të një anëtari të qeverisë së Kosovës, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë.




