Nga Rachael Rettner
Pirja e alkoolit në mënyrë të moderuar, është më e dëmshme nga sa mendohej më parë, sipas një studimi të ri që arrin në përfundimin, se nuk ekziston një nivel “i sigurtë” i konsumit të alkoolit. Studimi gjithëpërfshirës, i cili analizoi informacionin nga miliona njerëz në pothuajse 200 vende, zbuloi se alkooli është i lidhur me rreth 3 milionë vdekje në nivel global çdo vit, me rreth 1 në 10 vdekje të lidhura me përdorimin e alkoolit në mesin e njerëzve të moshës 15- 49 vjeç.
Për më tepër, çdo efekt mbrojtës shëndetësor i alkoolit kompensohet nga rreziku i pijeve, duke përfshirë lidhjet e forta mes konsumit të alkoolit dhe rrezikut të tumorit, apo lëndimeve të tilla si ato që rezultojnë nga aksidentet e makinave.
“Pikëpamja e përfitimeve shëndetësore nga alkooli, ka nevojë të rishikohet”- shkroi një nga hulumtuesit në studimin e botuar në revistën e mirënjohur mjekësore “The Lancet’. “Rezultatet tona, tregojnë se niveli më i sigurt i alkoolit nuk ekziston më”- thekson ai.
Gjetjet dallojnë me shumicën e udhëzimeve shëndetësore, të cilat thonë se pirja e moderuar – rreth një gotë në ditë për gratë, dhe 2 për burrat – nuk ka rreziqe shëndetësore. Sidoqoftë, është e vështirë të vlerësosh rreziqet për një person që pi shumë rrallë, në raport me dikë që pi çdo javë – ndaj rezultatet e këtij studimi nuk mund të zbatohen për këtë segment të popullsisë.
“Kjo nuk do të thotë, që nëse pini për ditëlindjen tuaj apo në Krishtlindje, do të vdisni”- thotë Keit Hafris, profesoreshë e psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Universitetin e Stenfordit, që nuk ishte përfshirë në studim. Përkundrazi, gjetjet zbatohen më shumë për njerëzit që pinë nga një gotë çdo ditë, apo në shumicën e ditëve të javës, tha Hamfris.
Në kundërshtim me atë që kanë gjetur disa studime të mëparshme, “tipi i personit që pi çdo javë, por nuk pi kurrë shumë, nuk është më mirë në aspektin shëndetësor se dikush që nuk pi fare”- rezulton sipas studimit të ri. Studimi analizoi informacione nga afërsisht 700 studime të mëparshme, për të vlerësuar se konsumi i alkoolit është i zakonshëm në të gjithë botën, dhe ka ekzaminuar pothuajse 600 studime, duke përfshirë gjithsej 28 milionë njerëz për të hetuar rreziqet shëndetësore të lidhura me alkoolin.