U deshën 6 muaj që Këshilli Politik të arrinte një marrëveshje për reformën zgjedhore.Një nga pikat e dakordësuara ndërmjet palëve politike ishte ajo e identifikimit biometrik të votuesve. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, tha se kjo ishte një fitore e opozitës pasi insistoi dhe vuri një standard të barabartë për votuesit shqiptarë. Sipas tij, ekzistojnë garancitë themelore për të shkuar që nesër në zgjedhje pa u prekur vota e asnjë shqiptari.
Petrit Vasili: ”Nuk ishte për të kënaqur asgjë të opozitës. Identifikimi biometrik nuk është një kënaqësi e opozitës. Fitore e opozitës ka qenë në sensin se insistoi por vuri një standard të barabartë për votuesit shqiptarë. Një ditë më përpara se kjo të ndodhte, votuesit shqiptarë kanë qenë në rrezikun që vota të transformohej. Vota e një njeriu që nuk vinte në Shqipëri prej 20 vitesh gjendej në kuti. Madje qarkullonte një barsaletë që një i moshuar thoshte, më duket sikur takoj plakën time që ka vdekur sepse e gjej që ka votuar përpara meje në kutinë e votimit.”
”Asgjë nuk ka kërkuar opozita, pra që i jepet opozitës. Të japësh apo të marrësh diçka do të thotë të kesh një favor, një privilegj, një diçka më shumë se kundërshtari yt politik. E kundërta ka ndodhur. Kundërshtari ynë politik manipulonte zgjedhjet, i vidhte, këto tashmë janë dëshmi. Ju keni dëgjuar që Parlamenti Europian kërkon 184, 339 dhe personazhet e tyre ne i kemi pasur në tavolinën e bisedimeve. Opozita arriti këtë fitore, garancitë themelore që ne të shkojmë që nesër në zgjedhje ekszistojnë, për të mos u prekur vota e asnjë shqiptari, dhe shqiptarët të jenë të qetë që vota e tyre ashtu siç hidhet ashtu do të numërohet.”