Vëmëndje/ Histori personale: U dashurova me kushërirën, ja çfarë ndodhi

0
467
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Quhem Adrian. Jam tridhjetë vjeç, ende i pamartuar. Arsyeja është një dashuri e pamundur, që më mundon shpirtin prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh tashmë. Unë kam lindur në një fshat afër Tiranës. Familja ime ishte e madhe dhe e varfër. Kemi jetuar si mos më keq. Mamaja dhe babai rropateshin në punë të rënda që të na ushqenin ne, tetë fëmijëve. Mamaja ishte tip i zgjuar, ndonëse nuk kishte shkollë. Ajo mundohej që ne fëmijëve të mos na mungonte asgjë dhe donte që ne të bëheshim me shkollë. Unë isha më i vogli nga të gjithë. Vëllait të madh nuk i pëlqente shumë shkolla. Kur mbaroi tetëvjeçaren, ai e la dhe nisi të punonte për të ndihmuar prindërit. Katër motrat e mia, sado që ishin mirë me mësime, nuk mundën të vinin në Tiranë. Ato nuk e përballonin dot jetesën këtu, nuk kishin çfarë pune të bënin, kështu që u detyruan të ndiqnin një shkollë të mesme që ishte shumë larg fshatit tonë. Ngriheshin që herët në mëngjes, kur nuk kishte zbardhur ende, për të shkuar në mësim… Vëllai i mesëm ishte trazovaç dhe i prapë. Atij i duhej shkuar nga prapa gjatë gjithë kohës që të mos bënte prapësira, por të paktën ishim njerëz të mirë dhe të gjithë na respektonin. Kur mbarova shkollën fillore dhe nisa tetëvjeçaren, mundohesha të mësoja shpejt e shpejt, në mënyrë që të më mbetej kohë për të ndihmuar prindërit. Më dukej vetja si parazit, duke qenë se isha i vetmi mashkull në familje që nuk punoja, por mamaja nuk më linte të lodhesha shumë. Ajo ishte e kënaqur që merrja nota të mira, ndaj edhe donte që unë vetëm të mësoja. Shkollën e mesme doja ta vazhdoja për gjuhë të huaja. E dija që familja nuk më mbëështeste dot financiarisht, ndaj u thashë që do t’i nxirrja vetë shpenzimet e mia, por babai mori borxh te vëllai i tij dhe arritën të më jepnin diçka si fillim. U premtova që do t’ua ktheja sërish paratë, sepse e dija që ata vetë nuk do t’i shlyenin dot, për vite të tëra. Dita e parë e shkollës qe e tmerrshme. Nuk kisha parë asnjëherë aq shumë njerëz. Qëndroja në konviktin e shkollës. Nga dera e dhomës sime shihja djem dhe vajza që vraponin nëpër korridore, që flisnin me njëri-tjetrin me zë të lartë. Më dukej sikur kishte nisur ndonjë luftë dhe kisha frikë se mos nuk ambientohesha dot, por nuk mund ta hidhja poshtë sakrificën e prindërve të mi. Gjatë javëve në vazhdim nuk arrita të bëja dot shoqëri, përveçse me një djalë, që ishte i heshtur, si puna ime. Uleshim bahkë në bangë dhe po bashkë shkonim në mensë për të ngrënë. Të paktën ishte ai, se ndryshe do të isha çmendur! Shihja gjihë ato vajza që dukeshin aq të lirshme dhe skuqesha vetëm duke i ndjerë që më kalonin afër e jo më t’u flisja… Një ditë, Mandi, shoku im, më tha se kishte njohur një vajzë që ishte në klasën paralele me ne. Do ta takonte sërish në pushimin e madh dhe më kërkoi ta shoqëroja, pasi i vetëm nuk ia dilte dot. As unë nuk isha ndonjë tip i hedhur, por gjithsesi pranova. Kur erdhi ora e pushimit, e shihja Mandin se si ishte nervozuar. E kuptoja të gjorin! Zbritëm poshtë në oborr. Aty po e priste një vajzë e qeshur, që na e bëri me dorë kur e pa. U afruam. Ai më prezantoi me të, ndërsa ajo na prezantoi me shoqen që kishte në krah. Ishte vajza më e bukur që më kishin parë sytë! Kishte flokë të gjatë të zinj dhe një trup shumë elegant. Kishte një shikim të zgjuar, por edhe shumë të ëmbël dhe në kraharor shtrëngonte disa libra. Kur më dha dorën, u bë e tëra e kuqe. U dashurova menjëherë. Isha si i dehur në ato dhjetë minuta që qëndruam të katërt. Mandi po fliste me shoqen e tij, ndaj ne na duhej të bisedonim me njëri-tjetrin, por që të dy ishim të hutuar. Pasi qëndruam disa sekonda pa folur, ajo theu akullin e para. Më tha se quhej Ledia dhe se ishte nga Tirana. Edhe zërin e kishte hyjnor. Unë i tregova pak për veten, i thashë që kisha ardhur nga një fshat dhe se qyteti më dukej pak rrëmujë. Ajo qeshi dhe më premtoi se do të mësohesha. Më pas, dëgjuam zilen dhe u futëm secili në klasë. Të nesërmen po e prisja sërish gjatë pushimit të madh. Ajo doli me shoqen e saj. Më pa, por nuk më foli. Zemra po më dhimbte. Se nga u zhduk për pak dha pastaj u kthye me dy byrekë në dorë. Njëri ishte për mua. Më tha që i kishte marrë në një vend ku i gatuanin shumë mirë. Vetëm “faleminderit” arrita t’i thoja, sepse isha mpirë tërësisht… Ne u shoqëruam për katër vjet të shkollës së mesme, duke krijuar një lidhje shumë të bukur, më tepër miqësore. Unë isha i dashuruar marrëzisht pas saj, por nuk doja që ta trembja, ndaj heshtja. Gjatë katër vjetëve u puthëm disa herë, por asgjë më shumë. Duke qenë se e dija që të dy do të vazhdonim shkollën e lartë për gjuhë të huaja, isha i sigurt që nuk do ta humbisja, por brenda vetes e doja si i çmendur dhe kisha vendosur që të martohesha me të. Do ta prisja sa të donte ajo, edhe me vite po të qe nevoja. Pas vitit të parë të shkollës së lartë, i fola për atë që ndieja dhe që mendoja. Ajo nuk u shokua, por as u hodh përpjetë nga gëzimi. Më tha që e priste këtë prej meje, por duhet të bisedonte më parë me familjen. Pranova, duke i thënë që do të bëja gjithçka që ajo donte. Natën, nuk më zuri gjumi. Mendoja se çfarë do të kishin thënë prindërit e saj. Nuk shihja ndonjë arsye pse të kundërshtonin. Të nesërmen shkova në shkollë një orë përpara. Nuk më zinte vendi. Në fakt, Ledia nuk erdhi as atë ditë, as të nesërmen dhe as për tërë javën. Vendosa që t’i shkoja në shtëpi dhe ta prisja jashtë, por ajo nuk doli asnjëherë. Brenda nuk mund të futesha, sepse nuk e dija çfarë kishte ndodhur. Pas kësaj torture, ajo u kthye në shkollë me një fytyrë shumë të vrarë. Nga qeskat poshtë syve dukej që kishte qarë. Më tha se nuk mund të takoheshim dot më, sepse kishte zbuluar që ishim kushërinj. Babai i saj ishte djali i xhaxhait të nënës sime. Ata kishin ardhur në Tiranë para shumë vjetësh, duke qenë se mamaja e saj kishte lindur këtu. Më tha se prindërit ia kishin ndaluar që të shoqërohej me mua dhe iku duke qarë. Më kot u mundova t’i flisja gjatë ditëve që vijuan. Ajo më shmangej sapo më shihte. Kur i afrohesha, më thoshte se nuk donte të fliste më me mua. Ishte e tmerrshme! Kam vuajtur shumë, shumë. Familjes nuk i thashë asgjë. E mbarova shkollën e lartë duke e kaluar ditën në mësim dhe natën duke qarë, për tre vjet të tërë. Kur mbaroi shkolla, nuk e pashë më. Mora vesh që prindërit e kishin fejuar. Kjo më copëtoi zemrën, por edhe më bëri të kuptoja se nuk kisha ç’të bëja. Nisa një punë dhe zura një shtëpi me qira, por nuk munda ta harroja. Edhe tani që kanë kaluar gjashtë vjet nga mbarimi i shkollës, unë prapë e dua çmendurisht, e kujtoj çdo ditë dhe qaj për të. Nuk kam takuar asnjë vajzë që të më bëjë të ndihem siç ndihesha me atë, s’kam takuar asnjërën që të më bëjë ta harroj Lindën dhe me sa duket, asnjëherë nuk ka për të ndodhur…

Zjarr Tv Ad