Vettingu i kërkoi shpjegime për pasurinë, gjyqtarja e Durrësit ndërpret procesin dhe jep dorëheqjen

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi më 16 shtator të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtaren e Durrësit, Flora Hasimi si dhe i ndaloi rikthimin në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare, për shkak të dorëheqjes së saj nga detyra.

Në vendimin e Komisionit sqarohet se gjyqtarja Hasimi e ka dhënë dorëheqjen disa ditë pasi është njohur prej Komisionit me barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përfunduar hetimi administrativ paraprak.

Gjyqtarja Hasimi është shortuar më 16 dhjetor 2019 nga KPK, që e ka filluar hetimin administrativ në janar të 2020-ës. Më 6 korrik 2022, KPK ka përmbyllur hetimin paraprak për kriterin e pasurisë dhe i ka kërkuar subjektit që brenda datës 18 korrik të depozitonte prova në funksion të barrës së provës.

Në afatin maksimal për të kthyer përgjigje, subjekti ka depozituar në KPK kërkesë për pushimin e procedurës së vlerësimit të saj, duke njoftuar se kishte dorëzuar kërkesë për dorëheqje nga statusi i magjistratit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Me vendim të disa ditëve më vonë, KLGJ ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren Flora Hasimi për shkak të dorëheqjes së saj.

Pasi subjekti nuk ka ushtruar ankim kundër vendimit të KLGJ-së, Komisioni e ka thirrur Hasimin në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por ajo është shprehur se nuk dëshironte ta ushtronte këtë të drejtë dhe ka kërkuar ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj saj.

Bazuar në këto rrethana, Komisioni ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren Flora Hasimi, si dhe t’i ndalojë asaj riemërimin si prokurore ose gjyqtare e çdo niveli, si anëtare i KLGJ-së ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /Birn

Zjarr Tv Ad