Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, përmes një statusi në Facebook, ka reaguar ashpër kundër punimeve që kryen gjatë sezonit turistik dhe vecanarisht përgjatë fundjavës në Jug, duke e cilësuar diçka të tillë si show dhe si prishje të imazhit turistik të vendit.
“Duket sikur më shumë duhet treguar, pra duhet bërë show se “po punojmë”… Njësoj, si shteti ashtu dhe privati. Tani jemi mësuar. Nuk e konceptojmë dot më detin pa zhurmën e matrapikut. As me rrugë 100% të mbyllura.” Shkruani ai.
Statusi i plotë i Ylli Manjanit:
10 vitet e fundit kemi qenë banorë të rregullt në bregdetin e jugut. Në të gjitha vitet njësoj kemi parë e përjetuar zhurmën e matrapikut, betoniereve, ekskavatorëve, rrulëve e makinerive të rënda që punojnë fort në qershor-korrik-gusht…! Rrugë të shkepura, gropa të hapura për themele, kantiere ndërtimi, publike dhe private, të gjitha bëhen në verë. Edhe shembjet e ndërtimeve ndodhin në verë. Në kulmin e pushimeve. Madje të shtunën e të dielën. Bash ato ditë kur njerëzia sulen në bregdet. Në verë bëhen të gjalla edhe Tatim-Taksat,Taskforcat, policia pa bojë e DPSHTRR dhe pa dyshim edhe DJ-OSHEE.
Në janar-shkurt-mars-prill-maj e në vijim, në shtator-tetor-nëntor- dhjetor jeta pushon. Puna në kantere mbyllet. Eskavatorët fiken. Punojnë vetëm ata pa leje. Rrugët mjaftojnë edhe ashtu të ngushta nga lënia në mes… Duket sikur më shumë duhet treguar, pra duhet bërë show se “po punojmë”… Njësoj, si shteti ashtu dhe privati.
Tani jemi mësuar. Nuk e konceptojmë dot më detin pa zhurmën e matrapikut. As me rrugë 100% të mbyllura.