Kryeministri Edi Rama, ka konsultuar me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, profilin e Ministrit të ri të Brendshëm, i cili do të zëvendësojë Sandër Lleshajn pas dorëheqjes së dhënë.
Kreu i qeverisë, ishte në kryesinë e Kuvendit dje në mesditë, me të cilin ka ndarë mendimet se në Ministrinë e Brendshme, duhet të shkojë një figurë e pakonsumuar në ekzekutiv, i cili nuk do të ketë ngarkesën e drejtimit më parë të një dikasteri.
Taulant Balla, është kandidati më potencial për këtë post të rëndësishëm në këtë situatë, kur Ministria e Brendshme është në qendër të ciklonit të revoltës pas humbjes së 25-vjeçarit, por dhe në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Numri dy në Partinë Socialiste nuk ka në CV-në e tij një përvojë ekzekutive, duke e bërë atë më pak të atakueshëm për menaxhim të fondeve publike apo të tenderimeve. Por, në radhët e maxhorancës, nuk munguan dje dhe emra që mbeten ende kandidatë të mundshëm, si sekretari organizativ në PS, deputeti Arben Pëllumbi, apo ai i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila mund të kalojë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe në vend të saj të emërohet Damian Gjiknuri.
Mësohet se emrin e Ministrit të ri nuk do ta mësojmë para ditës së hënë, kur Kryeministri Rama do ta bëjë atë publik pas një fundjave ku pritet të qetësohet edhe vala e protestës.
Gjatë afro tetë viteve qeverisje, Kryeministrit Rama, i është dashur të pranojë dorëheqjet e tre Ministrave të tij të brendshëm, Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt , i pari si i implikuar me familjarët e tij në trafik narkotikësh, ndërsa i dyti për shkak të vëllait të tij, i cili u dorëzua në Itali për të kryer një denim.
Dorëheqja e Sandër Lleshajt erdhi pas humbjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, por që sipas Lleshajt, po kërkohej si sebep për të prishur Shqipërinë.