Tre persona janë arrestuar në flagrancë në sajë të operacionit të koduar “Perimetri”, teksa ishin duke transportuar 20 emigrantë të paligjshëm.
Personat e arrestuar janë shtetasit me iniciale K. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë; R. R., 29 vjeç, banues në Sauk, Tiranë; K. B., 27 vjeç, banues në Sauk, Tiranë.
Sipas policisë, shtetasit e mësipërm, janë kapur duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga fshati Eçmenik-Devoll, në drejtim të Tiranës, 20 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 500 euro iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Transportimi i shtetasve të huaj kryhej, me mjetin “Roulotte”, me drejtues shtetasin K. Sh., ndërsa dy shtetasit e tjerë R. R., dhe K. B., udhëtonin me mjetin tip “Volkswagen Golf”, të cilët në afërsi të fshatit Gështenjas, gjatë ndjekjes së tyre nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por u kapën dhe u ndaluan.