DASH: Marrëveshja për dokumentet e identifikimit, një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shtetet e Bashkuara mbështesin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të hënën. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke”.

Marrëveshja e arritur të shtunën pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohej nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtonin nëpër Serbi në dhjetë vitet e fundit.

“Arritja e zgjidhjes përmes dialogut është kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të shtunën se “Serbia kishte rënë dakord të shfuqizonte dokumentet hyrëse/dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “Bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe punën e palodhur të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që të marrin një rol aktiv dhe të ecin përpara në mënyrë paqësore”.

Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë shpresojnë që Kosova dhe Serbia të kenë një qasje konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për çështjen e targave të makinave./VOA

Zjarr Tv Ad