Një shpërthim i fortë me tritol është raportuar mbrëmjen e djeshme në Lushnjë. Makina në pronësi të shtetasit Altin Lamçe është hedhur në erë, por fatmirësisht nga ngjarja ka vetëm dëme materiale dhe asnjë person të lënduar.
Mjeti ka qenë i parkuar pranë shtëpisë së tregtarit të fruta-perimeve, kur është hedhur në erë në lagjen “18 tetori” të qytetit.
Forca të shumta të Policisë së Lushnjës ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të saj. Po ashtu, është duke u pyetur dhe vetë shtetasi Altin Lamçe, nëse bëhet fjalë për ndonjë konflikt apo për shkak të konkurrencës.
Lushnjë /Informacion paraprak
Rreth orës 22:25, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, në oborrin e banesës së shtetases L. L., 75 vjeçe, ka shpërthyer lëndë e dyshuar plasëse, duke shkaktuar dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.