Nga tensionet në veri të Kosovës, tek ndihma për Shqipërinë/ Zbardhet takimi i Presidentit me ambasadoren e SHBA në OKB! Begaj: Të vlerësuar që na merrni si pikë referimi

0
83
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, është pritur sot në një takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj. Vizitën në Tiranë të Ambasadores Linda Thomas-Greenfield, Presidenti Begaj e cilësoi mjaft domethënëse në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Presidenti Begaj theksoi se Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe në këtë kuadër vlerësoi vullnetin e përbashkët për ta forcuar e thelluar më tej dialogun midis dy vendeve. “Bashkëpunimi në fushat e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë dhe transportit, por jo vetëm, i kanë dhënë këtyre marrëdhënieve një substancë shumë domethënëse dhe për 100 vitet e ardhshme” – u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Ambasadorja Greenfield dhe bashkëpunëtorët e saj po i japin Misionit shqiptar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Duke përshëndetur besimin e Shteteve të Bashkuara tek Shqipëria, si një aleate besnike dhe të qëndrueshme, si në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, ashtu edhe në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Begaj nënvizoi se “ndjehemi të nderuar e të vlerësuar kur Shtetet e Bashkuara e shikojnë Shqipërinë si një pikë të rëndësishme referimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike, ndihmë që ka kulmuar me reformën e thellë të sistemit dhe institucioneve të drejtësisë. “Falë edhe mbështetjes së gjithanshme e domethënëse të Shteteve të Bashkuara, sot kemi një sistem të ri drejtësie, i cili po fillon të funksionojë dhe është vendimtar për procesin e integrimit evropian të vendit” – u shpreh Presidenti Begaj.

Më pas Presidenti Begaj u ndal në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku vlerësoi në mënyrë të veçantë angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj përshëndeti pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe rolin personal të Ambasadores Greenfield për rishikimin tërësor të rolit dhe statusit të UNMIK në Kosovës. “Është shumë e rëndësishme që OKB të njohë progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor e demokratik, por edhe për kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, të pranuar tashmë nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të organizatës” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Mirënjohje Presidenti Begaj shprehu edhe për ndihmën e dhënë në kapërcimin e pasojave të sulmeve kibernetike nga aktorë të lidhur me agjenci shtetërore iraniane. Duke iu referuar pasojave të këtyre sulmeve, si dhe masave të marra nga institucionet shqiptare, Kreu i Shtetit shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Zjarr Tv Ad