Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për skandalin “McGonigal” dhe akuzat që mazhoranca , kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë lëshuar ndaj tij.
Basha u shfaq dje në disa media për të folur për Pavarësinë e Kosovës, por është pyetur nga gazetarët mbi historinë e “Shtëpisë së Verdhë”.
Por Basha e përmendi vetë skandalin “McGonigal” dhe duket se u ka dërguar një mesazh të koduar Berishës, Metës dhe Ramës, duke thënë se të gjithë ata që po e sulmojnë në fund do të rrëzohen. Berisha e ka akuzuar disa herë Lulzim Bashën se ka mbyllur gojën dhe nuk flet për këtë çështje.
“Fatkeqësisht në Shqipëri ka një mekanizëm të lig në funksion të një interesi të lig, të errët. Lufta ndaj meje nuk kufizohet vetëm nga skandali McGonigal. Por edhe me sulme të tjera që intensifikohen në prag të zgjedhjeve. Është një formë për të eliminuar kundërshtarin. Në fund të gjithë rrëzohen”, deklaroi ai.
Po ashtu, Basha ka sulmuar edhe mazhorancën me Ramën në krye, ku shprehet se ndaj tij është hedhur baltë gjithmonë. Lidhur me akuzat për luftën e UÇK, Basha tha se qëllim ka qenë gjithmonë çimentimi i pushtetit dhe goditja e kundërshtarit.
“Njësoj si në rastin ‘McGonigal’ balta e hedhur ndaj meje ka pasur vetëm një funksion: çimentimin e një pushteti që kurrë nuk e ka pasur interesin kombëtar dhe interesin publik si gjëja më e çmuar për t’u mbrojtur por përkundrazi është treguar i gatshëm të përbaltë kundërshtarët politikë interesat e veta personale. Kjo është një shpifje i bashkohet shpifjeve që bota mbarë i ka marrë vesh se janë paguar për qëllime të ngushta politike vetë protagonistët e ngjarjeve i kanë hedhur poshtë”, sqaroi Basha, duke iu përgjigjur Berishës, i cili e ka akuzuar disa herë se ka mbyllur gojën dhe nuk flet për këtë çështje.