Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në një lidhje skype me studion e “Tirana Live” në ABC Neës, u shpreh se situata e tensionuar në parlament dhe jashtë tij i shkon të dy palëve, edhe opozitës së Berishës edhe mazhorancës.
Sula tha se ky presion i shërben të dy palëve për të treguar se kush janë aktorët e vërtetë politikë në vend, ata që bëjnë lëvizje të mëdha. Sipas tij protesta e 3 marsit është një akt për t’i bërë presion gjykatës dhe për këtë arsye ai ke vendosur për të mos qenë pjesë e saj.
“Unë shpreh keqardhjen për situatën në të cilën ndodhet Kuvendi. Jemi pak deputetë që kemi shumë kohë në atë kuvend dhe kemi eksperiencë.
Ka një ndryshim thelbësor tani. Unë nuk do të ushtroj asnjëherë dhunë në Parlament. Kur ishim ne në mazhorancë ishin shumë të rrallë përjashtimit, ndërsa tani duket se qëllimi i të dy palëve është të krijojë presion.
Ky presion ndodh se të dy palët janë në hall. Shkaku i këtij presioni është mungesa e kryeministrit në interpelancë. Jam i bindur që kjo situatë e tensionuar i shkon të dy palëve, edhe mazhorancës edhe opozitës që thotë se po bën revolucion.
Po rrisin tensionin për të treguar që jemi ne që lëvizim këtë vend, jemi në aktorët kryesore politikë. Vetëm ne kemi ngel në Ballkan, që nuk jemi pastruar nga drejtësia”, tha Sula.
“Nuk jam dhe nuk dal në protestën e 3 marsit. Kam qenë në protestat tjera, por këtë herë nuk dal. Ajo protestë mund të bëhej me 20 shkurt, do ishte shumë simbolike, lidhet me rrëzimin e diktatorit”, shtoi ai.
Deputeti i PD theksoi po ashtu në datën 2 mars kur është caktuar data për mocionin me debat do të ketë sërish tensione.
Sa i përket asaj se çfarë pritet të ndodhë pas datës 3 mars, Sula tha se nuk i intereson se kujt i jepet vula, e rëndësishme është që kushdo që do ta marrë t’i dalë në krye opozitës për zgjedhjet e 14 majit dhe pas zgjedhjeve të nisë bashkimi.