Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të degëve të PD nr. 2 dhe 4 në Tiranë ditën e sotme. 10 ditë para se Apeli të caktojë kujt i përket vula e PD, Alibeaj i ka bërë thirrje Sali Berishës ta njohë vendimin.
Alibeaj: Më 3 mars flet ligji dhe ne jemi të bindur se kujt i përket e drejta e vulës dhe siglës. Unë palës tjetër i them që të respektojë vendimin dhe këtë gjë do bëj edhe unë.
Berisha deklaroi se në protestat e organizuara nga ai mund të marrë pjesë çdo demokrat, përveç Alibeajt dhe Bashës. Alibeaj e sheh të pamundur largimin e kryeministrit Rama me protesta.
Alibeaj: Revolucioni i vërtetë nuk orkestrohet nga lart, besimi duhet të lindë nga njerëzit, duket të ndodhë në mendjen e cdo shqiptari, pa dallim orientimi, të majtë apo të djathtë. Njerëzit mblidhen në mënyrë spontane, jo me orkestrim politik që nuk sjell asnjë gjë të re. Edi Rama nuk ikën po i the ik.
Demokratët e kampit të Berishës, i sfidon edhe për betejën që po bëjnë mes zhurmës dhe bllokimit të foltores në parlament.
Alibeaj: Kush nga palët në parlament që bëjnë zhurmë të madhe guxon të përmend një oligark? Ata që i presin në paradhomë, që ulen me ta? Kush e ka bërë luftën kundër inceneratorëve, kush e ka bërë luftën kundër invvestitorëve strategjikë, hapjen e dosjeve e akuzohemi edhe si të shitur, ne jemi të shitur? Kjo kërkon kurajo të fortë.
Duke u ndalur në zgjedhjet lokale, Enkelejd Alibeaj thotë se kandidat, do të nxjerrë edhe përballë Erion Veliajt e Belind Këlliçit në Tiranë. Deri më tani me nxjerrjen e kandidatëve, Alibeaj ka zyrtarizuar ndarjen nga Berisha në më shumë se 10 bashki, mes të cilave Lezhë, Krujë e Korçë.