Nga Andi Bushati
Formulimi diplomatik që u gjet në fund të takimit të tensionuar të Brukselit: “E pranuan, por nuk e nënshkruan”, tregoi më së miri se sa larg janë ende qëndrimet e Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit për të firmosur atë që u njoh prej verës së shkuar si plani franko- gjerman. Mjafton dhe ky dështim, i shitur si arritje, për të kuptuar absurdin e komenteve dhe shpjegimeve që shpërthyen në botën shqiptare, ku palët u barrikaduan sërish në qëndrimet e së shkuarës: pro dhe anti Kurti.
Për disa Albini tradhëtoi, ai e pranoi Zajednicën, konceptin pezhorativ që dikur si opozitar përdorte për të sulmuar krijimin e asocacionit të komunave serbe. Për idhtarët e tij, kryeministri i tyre i tha JO krijimit të një republike të dytë serbska në Kosovë, madje pati meritën ta bëjë këtë pa e shpënë vendin në konflikt me ndërkombëtarët.
Në fakt, përtej kësaj logjike partizane e vërteta e asaj që ndodhi këtë fundjavë në Bruksel ishte tepër me e koklavitur. Mospranimi për të hedhur firmën mbi dokumentin e servirur si “merre ose lëre”, nuk mund të spjegohet vetëm me argumentin foshnjarak se aty nuk gjendej kryeministrja serbe Bernabiç, që duhet ta kryente formalisht këtë akt. Duket se mes palëve ka ende kontradikta të pa sheshuara. Dhe kjo është shumë më e lehtë të thuhet tani kur dokumenti i BE u bë publik në formën e tij zyrtare. Po të lexohet me vëmendje, aty vihet re se Serbia detyrohet të pranojë gjëra të pa imagjinueshme më parë për një vend që ende e ka Kosovën në kushtetutë si pjesë përbërëse të vetën.
Cilido që gjendet në pushtet në Beograd, e jo më një autokrat nacionalist si Vuçiçi, do e kishte tejet të vështirë ti servirte njerëzve të tij koncepte si sovraniteti teritorial dhe respektimi i integritetit të Kosovës, njohjen e dokumentave të saj, heqjen dorë nga përfaqësimi në marëdhëniet ndërkombëtare, etj. Firmosja mbi një draft, ku palët nuk emërtohen më, si deri tani, Prishtina dhe Beogradi, por me emrat e tyre shtetërorë, Kosovë dhe Sebi, nuk ishte gjëja më e lehtë për presidentin serb. Ndaj Vuçiç që kur filloi të marrë formë projekti franko gjerman, zgjodhi të bëjë një lojë të dyfishtë.
Për të mos i thënë jo të prerë perendimorëve, me të cilët edhe ashtu i kishte mardhëniet të tensionuara për shkak të rrefuzimit që ti vendoste sanksione rusisë, ai zgjodhi rrugën e miratimit me pengesa. Alibia e Beogradit u bë refreni: “si mund të nënshkruajmë marrëveshje të re, kur Kosova nuk zbaton ato të firmosura prej një dekade, për themelimin e shoqatës së komunave serbe”.
Kështu edhe me një lloj suksesi ndërkombëtar, kryesisht pranë amerikanëve, Vuçiç arriti ta shndërrojë asocacionin në kryefjalë të debatit diplomatik, ndonëse mes palëve ekzistonin edhe së paku dy dyzina marëveshjesh të pa respektuara. Tek një pjesë e negociatorëve sidomos SHBA, nocioni: në fillim asocacionin pastaj të tjerat, u bë mbizotërues. Kjo e detyroi kryeministrin Kurti që të shpallte planin me 6 pika që parasheh zbatimin e kësaj ideje vetëm pasi vendi i tij të marrë njohjen e plotë nga Serbia.
Po ti vendosësh edhe deklaratat e liderëvë, të hënën, në këtë kronologji ngjarjesh, e ke më të lehtë të kuptosh se kjo ka qenë edhe pika se përse palët nuk nënshkruan në 27 shkurt. Albin Kurti deklaroi se ai ishte i gatshëm ta bënte por se ata që pati përballë nuk pranuan. Nga ana e tij Vuçiç nuk nguroi të fliste për asocacionin duke theksuar se kryeministri i Kosovës nuk qe i gatshëm ta pranonte atë në këto momente. Pra hija e asocacionit e arriti ta pengojë finalizimin e marrëveshjes.
Në taktikën që zgjodhi Aleksandar Vuçiçit i duhet njohur një lloj suksesi dhe aftësie për të bindur ndërkombëtarët.
Duke nënvizuar këtë, relativizohet së tepërmi propoganda që po mundohet të bëjë qeveria në Prishtinë, sikur ajo u rendit në krahun e perendimorëve, duke qenë e gatshme të nënshkruajë, gjë që Beogradi nuk arriti t’a bënte.
Natyrisht, Albin Kurti e refuzoi gjatë gjithë kohës me forcë presionin që të themelonte asocacionin para marrëveshjes. Ai pati burrërinë ti rezistojë ndërkombëtarëve dhe koherencën për ti ndenjur besnik votave që ka marrë. Në këtë kuptim kritikat për tradhtarin që ka kapitulluar janë thjeshtë një retorikë idioteske. Por, ama ndeshja nuk ka përfunduar. Etapa e 27 shkurtit ishte tepër e zbehtë për të përcaktuar fituesit dhe humbësit e një loje ku “pakti nuk u nënshkrua, ndonëse u pranua”.
Me sa duket trysnia ndërkombëtare për kushtin e panegociueshëm të Vuçiçit, themelimin e shoqatës së dhjetë komunave me shumicë serbe, do të vijojë të jetë në epiqendër të finalizimit të marrëveshjes. Ajo do të vazhdojë ta mbajë Albin Kurtin mes dramës së dy llogoreve, atyre që e akuzojnë se ka qëllim vetëm të zgjasë pushtetin dhe atyre që i besojnë se po këmbëngul të mbrojë shtetin.