“Ndryshimi fillon nga duart e tua”, ky është slogani i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet vendore të 14 majit. Por ish-politikani dhe gazetari i njohur Luan Rama ka një kritikë për të.
Në një koment të shkurtër në Facebook, Rama shkruan se slogani duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë. Por në këtë rast ka një pasaktësi, pasi ndryshimi fillon nga mendja, e jo nga duart.
“Problemi nuk qëndron tek duart, por tek mendja”, shkruan ndër të tjera Rama.
Komenti i plotë:
Një vërejtje për sloganin e opozitës:
NGA DUART APO NGA MENDJA?
Ata që merren me organizimin dhe drejtimin e një fushate zgjedhore, e dinë se sa të rëndësishëm janë për fushatën dhe efektivitetin e saj sloganet që zgjedh dhe që përdor një kandidat apo një subjekt që konkuron në zgjedhje.
Sepse slogani duhet të shprehë në mënyrë shumë të përqëndruar, sa më thjeshtë dhe drejtpëdrejt thelbin e idesë apo të mesazhit që duhet përcjellë tek qytetarët.
E mu për këtë arsye, pra për mënyrën se si opozita ka zgjedhur ta përcjellë thelbin e mesazhit të vet, por edhe sepse përgjatë angazhimit tim të gjatë politik më është dashur të merrem me sloganet, me posterat dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me komunikimin publik apo me “propagandën” e fushatës, më bëri përshtypje dhe më tërhoqi vemëndjen njëri prej sloganeve të opozitës, për mendimin tim i konceptuar gabim.
“Ndryshimi fillon nga duart e tua”.
Me këtë slogan, opozita i fton mbështetësit e saj në mitingun çelës të fushatës.
Ndryshimi nuk është çështje duarsh.
E afërmendsh, nëse do që t’i grishësh, t’i joshësh, t’i ftosh dhe t’i bindësh qytetarët që të të ndjekin, të të besojnë dhe të të votojnë, duhet ta kesh të qartë më sëpari ti vetë se ndryshimi fillon nga mendja dhe jo nga duart.
Problemi nuk qëndron tek duart, por tek mendja!