Një shtetas egjiptian është proceduar penalisht nga Policia Kufitare në Rinas, pasi ka tentuar të dalë nga vendi ynë por pa deklaruar një shumë të konsiderueshme parash që e kishte me vete.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në kuadër të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në dalje të Republikës së Shqipërisë kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm shtetasin nga Egjipti, H. A.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantë, 16 000 dollarë dhe 2000 euro, para të cilat tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, strukturat hetimore të DVP Tiranë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. A., 37 vjeç, banues në Egjipt. Shuma e parave iu sekuestrua 37-vjeçarit, në cilësinë e provës materiale.