Gazetari Berat Buzhala e ngacmoi dje kryeministrin Edi Rama për perceptimin dhe dukjen e mbështetjes së madhe që ka në media kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, edhe nga mediat që nuk mbështesin kryeministrin.
Buzhala i kërkoi kryeministrit nëse del garant që kryebashkiaku i Tiranës nuk është i korruptuar. Edi Rama i bëri të qartë se Veliaj është kryetari i bashkisë që i duhet Tiranës por theksoi edhe atë që thotë gjithmonë se gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi vetë për punët që do të bëjë për përfitime personale, nëse bën të tilla.
Pjesë nga debati në emisionin “Opinion”
Berat Buzhala: Arben Ahmetaj, janë konfiskuar dy vila. Nuk ka fakte që ju jeni përfshirë në afëren korruptive por ju keni qenë shefi i tij politik. E njëjta gjë flitet për Erion Veliaj. Ekziston një konsensus shoqëror në Tiranë, Pasolini është një gazetar i famshëm e thotë: nuk kam fakte por jam gazetar e më lejohet me aludu…Pra për Erion Veliaj thuhet që është i korruptuar madje dhe mediat që nuk janë të afërta me ju janë me Erion Veliajn cuditërisht. Eshtë kryetari i vetëm i një kryeqyteti që ka më shumë ndikim në media sesa vetë ju. A garantoni ju, a merrni përgjegjësi politike që Erion Veliaj nuk është i korruptuar? Sepse jemi në zgjedhje lokale, jemi në zgjedhje bashkiake. Pra çfarë nëse SPAK godtet Erion Veliajn? A jeni dhe ju përgjegjës? Sepse po loboni për të, po vraponi për të dhe dëshironi që ai të zgjidhet kryetar i Tiranës…
Edi Rama: Të falenderoj për pyetjen. Qysh ditën e parë që ne kemi marrë detyrën në mbledhjen e parë të qeverisë, grupit parlamentar kam thënë atë që përsëris sa herë fitojmë një mandat tjetër dhe me ka ndodhur ta përsëris dhe kur kanë ndodhur situata të tilla edhe më parë me disa ish zyrtarë të lartë.
Vendin ku ulesh ta jep populli, partia, kryeministri. Për ta mbajtur duhet ta mbash vetë. Kemi qellime të përbashkëta shumë të qarta, për këto qëllime luftojmë bashkë, dhe unë i bëhem mburojë, shpatë, shigjetë kujtdo. Ama kush,ndërkohë që luftojmë për qëllime të përbashkëta, mbas shpinës kërkon përfitime të përvetshme, duhet të mendohet mirë sepse ballafaqimin me drejtësinë e ka vetë, nuk e ka me ne. kështu që unë nuk kam asnjë lëkundje me këtë. Bashkëpunëtorët e mi e dinë shumë mirë, kush më ha në shpinë duhet ta harrojë që ka mbrojtje nga unë apo nga PS. Që do të thotë: si është shprehja pishën njeriu nuk ia mbaj. Ama për sa kohë punojmë bashkë e kemi qëllime të përbashkëta, unë jam mbrojtësi më i madh i çdo bashkëpunëtori.
Berat Buzhala: A duket paradoks i madh zoti Rama ndikimi i madh i Erionit në media? Pra mediat që ju sulmojnë ju, nuk e sulmojnë erionin…
Edi Rama: Nuk dua të dukem sikur bëj snobin, por sinqerisht nuk i ndjek mediat. Marr vetëm një raport shumë të shkurtër një faqe e gjysëm për cfarë është thënë dje në raport me qeverinë. Ka bërë një sistem drejtoria e komunikimit, një aplikacion që sjell të gjitha lajmet. Më thoshte Endri fute, fute…futa atë aplikacion, sikur futa shejtanin në bark. E mbajta një javë, një javë e gjysëm. Sikur futa shejtanin në bark. Mu prish qetësia, mu prish cdo gjë se me dilnin aty. Thashë: po unë sa budalla. I bëra një app delete asaj dhe unë marr atë që dua.
Të them të drejtën nuk e di sa është ky në media sa është një tjetër. Erioni për mua është kryetari i bashkisë që i duhet Tiranës . unë jam i lumtur me bashkëpunimin që kemi. Është një bashkëpunim me gjithë dimensionet ku vizioni është i ndarë se çdo bëjmë për Tiranën. Ambicia është e qartë. Ai ka parcelën e vet të ekzekutimit të gjërave, unë kam timen. Unë për Tiranën kam pasur gjithmonë bindjen që kur kam qenë kryetar bashkie, që kryeqyteti është edhe i qeverisë dhe kryeministrit sepse një kryeqytet ka nevojë të domosdoshme për mbështetjne e qeverisë. Është fatkeqesi nëse bashkia e Tiranës nuk mbështetet nga qeveria, apo nëse kryeministri nuk e ka Tiranën si pjesë të fokusit të punës së vet.