Agron Gjekmarkaj thotë se Berisha dhe Basha duhet të tërhiqen të dy nga lidershipi i Partisë Demokratike, pasi kanë humbur të drejtën morale për ta drejtuar atë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Gjekmarkaj deklaroi se drama e PD-së nuk mund të zgjidhet pa Berishën, por edhe nën drejtimin e tij kjo parti nuk mund të jetë fituese.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Sali Berisha e ka mbyllur misionin e tij në politikë. Ai me siguri do të vijojë të qëndrojë, por sot e gjithë Shqipëria e di që ai nuk mund të fitojë më zgjedhje. Po Lulzim Basha? Me gjasë ai do të përpiqet të rikthehet. Mendoni se Basha mund ta nxjerrë PD-në nga agonia? Edhe ai është një humbës kronikë…
Agron Gjekmarkaj: “Duhet të jemi të ndershëm edhe me zotin Berisha. Për pjesën që është histori, e ka mbajtur PD-në në pushtet për 13 vjet. Pavarësisht problemeve që ka krijuar dhe kritikat që kemi, le t’i japim atë që i takon. Tani është në një moment të tretë, kur ka probleme me kohën, shoqërinë dhe aleatët. Drama e PD nuk zgjidhet dot pa Berishën, por nuk fitohet me Berishën. Ai ja doli të merrte 510 mijë vota. Atëherë në momentin që nuk mjafton, shkohet drejt pjesës që nuk fiton dot me Sali Berishën. Duhet një lidership dhe platformë e re.
Basha, nëse rikthehet do të rikthehet për të marrë një parti të vdekur, që është partia e vulës. Edhe Basha edhe Berisha duhet të tërhiqen, ata nuk mund të jenë zgjidhje e PD-së. Basha ka humbur të drejtën morale për të qenë lider i opozitës”- tha deputeti i PD.
Me pas Agron Gjekmarkaj bëri parashikime pesimiste për afrimin e dy palëve, duke u shprehur se pret një bunkerizim të “Foltores” dhe një riorganizim të “Vulës” ku mund të kthehet Basha dhe sërish pas dy vitesh, opozita do të shkojë drejt një katastrofe tjetër elektorale.
“Nëse nuk ndodh e para që dëshirojmë dhe ndodh e dyta që nuk dëshirojmë, e dyta është bunkerizimi i partisë së Berishës dhe gjuha agresive ndaj pjesës tjetër që i targeton si bashkëpunëtorë të Edi Ramës për të justifikuar të gjitha humbjet.
Unë ua kam kërkuar kolegëve të mi: Çojani vulën shumicës, sepse ne dështuam për të krijuar një opozitë të re, një alternativë të re dhe hiqeni çdo alibi mbi veten që ai të ketë vulën, komisionerët, fondet dhe të përballet me shqiptarët pa patur alibinë e pengesave anësore, por që Berisha po i nxjerr si barrikada themelore në rrugën e tij drejt suksesit, duke akuzuar pjesën tjetër të PD-së. Kjo nuk ndodhi dhe dëshiroj shumë që kjo pjesë të presë.
Berisha do ta mbajë, do ta bunkerizojë partinë. Shoh bashkëpunëtorët, kolegët që dalin dhe i bëjnë hosana dhe flasin për domosdoshmërinë e të qëndruarit pa fund të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, si alternativa fituese. Besoj se ata e kanë gabim dhe koha s’do t’u japë të drejtë.
Këtej mund të vijë Basha ose dikush tjetër, të riorganizohet PD-ja zyrtare, e cila, e sulmuar nga Berisha, do të detyrohet të përgjigjet dhe do të kemi një konflikt permanent dhe qeveria do të ngrohë duart në zjarrin që kemi ndezur ne me drutë tona. Kjo pastaj do të çojë në një katastrofë elektorale edhe më të rëndë dhe pas dy vitesh, në 2025, do të dëgjojmë të njëjtat justifikime që na u vodhën votat, qeveri kriminale, droga, euro.
Unë do të përpiqem të jem vetvetja, në mënyrë modeste, të flas, të shkruaj, ta komentoj politikën siç e mendoj unë, por nuk do të jem pjesë as e Foltores, as e Vulës. Nuk do të ndjek asnjërën nga pas”- u shpreh Gjekmarkaj.