Deputeti demokrat, Saimir Korreshi gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve ka ngritur shqetësimin lidhur me pensionet dhe ndihmën ekonomikë që qytetarët marrin.
Korreshi iu drejtua ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila ishte prezente në sallë, duke i thënë se janë dakort rritjes së pagave, por duhet të kthejnë sytë edhe te pensionistët dhe personat të cilët marrin një ndihmë ekonomike me të cilën nuk mund të sigurojnë jetesën.
“Për të qenë të sinqertë jemi pro rritjes së rrogave. Por, ka disa kategori të tjera, pensionistët ata me ndihmë ekonomike, do ja kthejmë ndonjëherë dinjitetin këtyre njerëzve për të jetuar. Bëni llogaritë sa marrim ne edhe s’na del, nuk bëjmë dot gjë me kalamajtë tanë për tja bërë qejfin, imagjino ata çfarë bëjnë”, tha Korreshi.
Ndërkohë, ministrja iu kundërpërgjigj duke i thënë se qeveria është duke punuar për rritjen e pensioneve dhe kjo do të arrihet falë rritjes së pagave edhe në sektorin privat dhe deklarimin e plotë të pagave nga ana e tyre.
“Qeveria po jam e bindur të gjithë deputetet kemi shqetësim maksimal për nivelin e pesioneve. Juve thatë ka 10 vite që pensionsitët janë në këtë gjendje, nuk ka 10 vite por ka shumë më shumë. Në fakt 10 vitet e fundit dhe kjo qeveri, qeveria Rama, ndryshe nga sa ishte më parë vendosi indeksimin ligjor për pensionet. Për përballimin e situatës ne gjatë vitit të kaluar edhe këtë vit kemi dhënë disa shpërblime për pesionistët. Nuk është mjaftueshëm dhe ne jemi të bindur për këtë dhe kjo është arsye që ne kemi nisur këtë reformë të pagave e cila do të shkrihet edhe në sektorin privat. Me rritjen e pagës minimale dhe të ggitha politikat për nxitjen e rritjes së pagave, synojmë që të rriten pagat në sektorin privat, gjë e cila do na sjellë edhe rritje të kontributeve shqoërore”, tha Ibrahimaj.