God bless…zgjedhjet!

0
63
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Luçiano Boçi

Zgjedhjet u kryn!

Më në fund u çliruam.

Çlirimi duket se do njihet si dikur nga të gjithë aleatët tanë.

Disa fituan. Fituan si fituan, me para, me dhunë apo me truke kompjuterike, ata sot tundin me krenari të shpifur parrullën shtegdalëse: “Fituesi nuk gjykohet” (shpikësi i saj duhet të ketë qenë fitimtari më i dëshpëruar i historisë dhe i planetit)

Fituan karriget, interesat, sigurinë e mos hyrjes së gjembit në këmbë. U lehtësuan disi nga mëkatet e fajet e mbishpinës e fundshpinës.

Disa shumë, ata më fatkeqët, fituan më në fund atë, varfërinë e sigurtë, që siç duket është qëllimi final i jetës së tyre.

Shumë humbën: dikush përfundimisht dinjitetin për aspra administartive, ose situative. Dikush humbi votën, dikush drejtimin e dëshirat për të bërë diçka ndryshe në moçalin e molepsur të politikës.

Shumë humbën shpresën e besimin se këtu nuk do valviteshin më flamujt e një melankolie dhe depresioni unik ekonomik e social.

Të tjerë dolën ashtu siç hynë. Verbërisht, nën kompleksin e Stokholmit, duke ndjekur me shterim admirues dhunuesin sistematik të qënies fizike e kulturore të tyre.

Edhe Hoxha bënte zgjedhje, për të vendosur zgjedhën dhe ai. Jo votime se vota nuk ekzistonte, sikurse sot është ose virtuale, ose në formë kartmonedhe.

Pothuaj si këta tani e bënte Hoxha. Por me kokrra që kërcisnin me qëllim që t’i kërciste plumbin pas koke, siç dhe bëri. Dhe me triska fronti që t’i rreshtonte të gjithë në një front. Asnjë dallim nga sot veçse Fronti Demokratik sot quhet Administratë Demokratike. Aso kohe Hoxha ishte një “yll” kombëtar e ndërkombëtar dhe armiqtë e supozuar ideologjike të tij e kaluan dhe pranuan terrorin që ai vendosi me një shkelje syri e ca deklarata të qullta.

Vitet kanë kaluar dhe “moderniteti” ynë kombëtar (pjesë e krenarisë së pakufishme) ka ecur paralel me faqet pa pikë faqe, online, që shiten e blihen në të njëjtën linjë për të prodhuar propagandë pa fund dhe mbi të gjitha për të prodhuar atë që preferon më shumë, si gatim të shijshëm, shoqëria jonë e botës së tretë: sharje dhe shpifje pa fund për armikun e klasës së fejsbukut.

Ai që s’ka ndryshuar është terrori politik.

Plumbi ka dalë jashtë mode krejt dhe është zevendësuar me një industri perfide shtetërore hakmarrje dhe persekutimi, e cila ngjan si trëndafil i ngjyrosur instagrami, por që është një mekanizëm diabolik kontrolli dhe detyrimi i kushtëzuar. Tani nuk vritesh por rrezikon të mbetesh pa punë ti dhe familjarët. Nuk deportohesh, por survejohesh, linçohesh publikisht, gjobitesh në mënyrë “të drejtë” e dashamirëse. Aq më tepër sot je i lirë të vetëarratisesh ku të duash e si të duash. Mjafton mos prishësh qetësinë e lumturisë që sundon kudo. Nuk pushkatohesh por të merret prona, shkatërrohet investimi e çdo gjë tjetër si komisioner rrugaç e i pabindur, kundërshtar i shtetit tonë demokratik.

Armiqtë ideologjikë të Hoxhës edhe sot shkelin syrin e japin viston e shprehen për një proces zgjedhor të pranueshëm demokratik (çfarë komedie gjigande!?).

Ndoshta zgjedhjet tashmë e kanë kaluar stadin e votës dhe operojnë në sfera më të larta, që nuk shihen, por që duhet të kuptohen e ndoshta ata që humbën nuk e kanë kapur ende kohën.

Ndoshta zgjedhjet kanë ndryshuar dhe qëllim: nuk janë më si dikur: shpresa e projekte zhvillimore, por thjesht një masë korrektimi “demokratike” e fabrikuar, me heshtje ndërkombëtare, për të pabindurit të cilët ende naivisht mendojnë se themeli i një shoqërie demokratike është vota.

E gjithmonë në arsyetimin që nuk mbyllet, të del përpara ajo pyetja:

Cili nga sistemet bën zgjedhje të drejta?

Ai me votë-kokërr, apo ky me votë-kartmonedhë?!

Raporti i OSBE-ODIHR-it do ta thojë me patetizmin nanuritës të tij të pakuptuar asnjëherë e do na e heqë dilemën tonë demokratike-shekspiriane.

Me siguri me gjuhën e rrumbullakosur e cila nuk ka as fillim dhe as fund!

Kështu do të sanksionojë regjimin demo-dramatik shqiptar.

Deri atëhere:

GOD BLESS … ZGJEDHJET!

Zjarr Tv Ad