Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar turin e falënderimeve në qytetin e Elbasanit. Por gjatë fjalës së kryeministrit, një qytetar i cili ishte i pranishëm në takim ka fishkëllyer. Ramës, duket se kjo nuk i ka pëlqyer, duke thënë se atë duhet ta bëjë në stadium, kur të luajë Elbasani me Manchester City.
“Zogu të lutem, fishkëllimat në stadium kur të luajë Elbasani me Manchester City a të keqen. Unë e di që ai fishkëllen nga qejfi, por të lutem. Se ke hipur në maj të pemës”, tha Rama.
Ndërkohë në fjalën e tij Rama ironizoi opozitën duke thënë se “premtojnë fitore dhe rrëzime të mëdha, por gdhihen të tronditur nga një natë me ëndrra të këqija dhe thonë na i vodhën zgjedhjet”.
“Duhen mirëkuptuar edhe kundërshtarët tanë, të cilët deri në momentin e fundit i keni parë. Janë të krekosur, premtojnë fitore të mëdha, premtojnë triumfe të mëdha, rrëzime të mëdha të gjithë shumicës sonë dhe papritur të nesërmen në mëngjes gdhihen si të tronditur nga një natë me ëndrra të këqija dhe flasin për vjedhje. Ata nuk e kanë idenë se çfarë rrjeti kapitali njerëzor, cfarë rrjeti zemrash dhe mendjesh i i shtrirë në Shqipëri është PS. Ata nuk e dinë se çfarë skuadre e jashtëzakonshme është PS. Ashtu sikundër ata nuk duan të shikojnë atë që unë besoj në 14 maj e panë edhe shumë njerëz që nuk kanë votuar ndonjëherë për ne. Shumë njerëz e kanë pozicionuar veten djathtas. E panë që vota e 14 majit ishte një vote që duhej vendosur me mendje dhe jo me zemër”, u shpreh ndër të tjera kryeministri.