Gafat duket se nuk i ndahen Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk i munguan as ditën e enjte në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar. Këtë herë ajo që lëshoi “perlën” e radhës ishte deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Buxheli.
Teksa po fliste për ligjin e mazhorancës që i “burgos” studentët e mjekësisë për 5 vite në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve, në fjalën e saj, ajo e konsideroi Shqipërinë si një Republikë Popullore.
Shënjë nostalgjie apo lapsus i momentit? Si do që të jetë, ky moment nuk mbeti jashtë lupës së ndjekësve në rrjetet sociale ku videoja e saj u bë menjëherë virale. Shumë nga komentuesit u shprehën të ofenduar dhe me tone ironie shfaqën revoltën ndaj deputetes.
“Çdo i ri ka të drejtë dhe është përballë zgjedhjes të nënshkruaj kontratën e lidhur mes tre institucioneve, Ministrisë së Arsimit, të Shëndetësisë dhe Universitetit Mjekësor të Tiranës, që pas përfundimit të studimeve të punojë në Republikën Popullore të Shqipërisë”, u shpreh Buxheli.