Analisti Ben Andoni tha në një intervistë për Euronews Albania këtë të diel se pjesëmarrja më e madhe e votuesve në Rrogozhinë favorizon më tepër opozitën.
Ai tha gjithashtu se opozita ka shfaqur një interes shumë më të madh për këto zgjedhje ndryshe nga Partia Socialiste e cila duket më “indiferente” për përsëritjen e zgjedhjeve në këtë zonë
“Çfarë më ka bërë përshtypje është se ka një lloj sigure më të madhe te partia socialiste. ata janë afruar pak më tepër standardeve në krahasim me pjesën tjetër që kërkojnë me ngulm fitoren në një fare në mënyre për të justifikuar atë humbje shumë të madhe që kanë pasur në të gjithë vendin në zgjedhjet e 14 majit.
Pjesa demokrate është angazhuar totalisht për të pasur qasje, por edhe për të treguar se do jetë një bastion që ata do e ndjekin deri në momentin e fundit”,-tha Ben Andoni, ndërsa shtoi se numri më i lartë i votuesve këtë të diel e favorizon më shumë opozitën.
Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 14 majit, në bashkinë Rrogozhinë triumfoi socialisti Edison Memolla me 21 vota diferencë nga kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha.
Rezultati në këtë bashki u kontestua nga koalicioni “Bashkë fitojmë”, pasi sipas tyre pati shkelje gjatë procesit të numërimit, ndërsa diferencën mes dy kandidatëve e bëri kutia e burgut, e cila sipas tyre nuk duhej të numërohej.