Gazetari Lavdrim Lita, ishte iftuar këtë të hënë në një emision televiziv, ku analizoi rezultatin e zgjedhjeve në Rogozhinë, ku kandidati i Partisë Socialiste mundi të thellonte rezultatin e 14 majit me më shumë se 1500 vota.
Lita tha se humbja e opozitës në Rrogozhinë ndodhi për dy arsye. E para kishte të bënte me futjen e dosjes non-grata nga Berisha në mes të fushatëselektorale, si dhe nga impenjimi maksimal i makinerisë elektorale të PS-së, që nxori njerëzit të votonin.
“Një fitore që kishte PS me 10 vota u kthye në një fitore sot me 1500 vota më shumë. Sepse ata kanë makinë elektorale shumë të fuqishme, pasi kanë marrë listat e qendrave të votimit dhe kanë nxjerrë njerëzit të votonin. Shumë kolegë kur panë që njerëzit po shkonin të votonin të gjithë thanë se opozita ishte e avantazhuar. Në fakt intuita ime ishte që PS ka nxjerrë njerëzit e saj të votojnë dhe e ka marrë shumë seriozisht garën në Rrogozhinë. Intuita ime më thoshte se do fitonin thellë, pasi Berisha bëri një gabim taktik që futi dosjen e non-gratës britanike në mes të fushatës së Rrogozhinës, duke shfokusuar debatin mediatik, ku ishin të gjitha fuqitë e opozitës. Bashkimi mekanik i deputetëve nuk dha asnjë rezultat ishte një dështim si dështimet e tjera”, tha Lita.