Nga Agron Gjekmarkaj
Satëri i së Mërkurës dhe “respekti” i Babos
Kohë më parë kur më kishte si evlat dhe muhabeti qe muhabet e qyfyrja qyfyre qerratai i madh i rrëfimeve hokatare babaxhani Fahri na pat sjellë gëzim me një ndodhi të hershme që na tregoi nën hijen e pemëve të Voskopojës. Paskësh qenë një sekretar i parë në Elbasan në vitet ‘70 me emrin Jashar, kushëri i Nexhmijes.
Ai shkonte nëpër fshatra me shpurën e tij dhe pasi bënte agjitacion e propagandë bënte kërdinë me të ngrëne e me të pira. I binte qylit si lubi. Ai i uruari thoshte po shkojmë të respektojmë filanin dhe hopa lugët nxirrnin nga brezi. Një ditë pasi mbaroi fjalimin në mes të fshatit sheh majtas e djathtas po të gjithë kishin ulur kokën teksa ai pyeste veten nën zë “kë po respektojmë sot?” ata edhe më shumë strukeshin.
Në atë kërkim frenetik i has shikimi tek njëri …”a tha sot po shkojmë të respektojmë shokun Ibrahim”! Desh i ra pika të ngratit po nuk kishte se ç’të bënte, i priu urdisë për te shtëpia dhe i priti me ç’ju gjend pula e raki. Fati e solli që pas tre javësh Jashari të kthehej përsëri në fshat ku kishin ngordhur disa bagëti. Pasi qortoi e kërcënoi për ulje të vigjilencës stomaku po i sëmbonte e therte.
Fshatarët kishin ulur të gjithë kokën tek ai mërmëriste ritualin e respektit. Vetëm Ibrahimi rrinte kryelartë dhe i qeshur me shikimin e çliruar nga pengu i hallit. Jashari e sheh dhe u thotë të vetëve ikim të respektojmë shokun Ibrahim. Ai u fik dhe me më zë lutës i thotë “aman shoku Jashar mua me respektove qamet para tre javësh, ka boll këtu shko respekto ndonjë tjetër”!
M’u kujtua e gjithë kjo duke parë trazimin që Babo ka shkaktuar me mbledhjen e së mërkurës. Ministrat nuk hanë e as nuk pinë, u shkrumbohet goja u bëhet shafran. Nuk flasin por belbëzojnë. Nuk ëndërrojnë, por vetëm presin.
Shikimi i Babos bie mbi ministrat të cilët ulin kokën vetëm Çuçi me Taon janë të çliruar nga ankthi se ata në mënyra të ndryshme i ka “respektuar” tani së fundi. Ata kanë sigurinë e “Ibrahimit”.
Imagjinoni skenën Babo që rrotullon kokën kur shpall fermanët, Krifca skuqet deri në rrëzë të veshëve, Delina nuk qesh më si dikur moti, Evisi bëhet më e padukshme, Ogerta muroset në shikim të palexueshëm, Niko Nikoqiri bëhet sa një grusht, Bora me Edonën shpirtin kanë vënë në duart e Babos,
Tezja përgatit lotët që në çdo rast do jenë falënderimi! Ulsiut i thinjet mjekra edhe më tek rënkon more të pa hajër duhet dhe një verior në qeveri! Elisa ndihet si tespija në duart e “pushtuesit Mehmet Fatih” të Rozafatit.
Pesë a gjashtë e marrin shikimin për mirë, aman Babo thonë eja na respekto veç na bëj kryetar grupi e futna në qeveri! Po nuk është çudi që t’i lërë pa pushime firaunët gjatë gushtit t’ju tregojë litarin mbi lis dhe pastaj t’u thotë fusni kokën në shtator. Po do t’i bëje rezil kjo është e sigurt. Të gjithë do të dalin me ca kile më pak nga djerset që do iu shkojnë çurg nga arrçi i qafës te lugu fundor. Babo do nxjerrë kockën nga xhepi dhe do ta mbajë lart! E shikoni qafira do tu thotë, ja ty ta heq e ty ta jap. Lotët vu e goja lëng. Babo virani do vajisë satërin. Por do habisë njerëzinë me shpalljet e veta thonë.