Greqia mund të bllokojë ndihmat për Shqipërinë nëse çështja për kryetarin e bashkisë Himarë, Fredi Beleri nuk merr zgjidhje. Ky i fundit mbahet në paraburgim dhe nuk është betuar ende për të drejtuar bashkinë.
Greqia e sheh me nota kritike izolimin e Fredi Belerit, kryetar i zgjedhur me votë në Himarë, por që nuk ka bërë betimin për të drejtuar Bashkinë.
Sipas asaj që shkruan gazeta Kathimerini, autoritetet greke shprehen se ky proces është i motivuar politikisht sepse Shqipëria ka shkelur të drejtën e gjykimit të drejtë dhe prezumimit të pafajësisë. Dhe këto veprimet mund të shoqërohen me sanksione nga shteti helen.
Redaktori diplomatik Vassilis Nedos duke iu referuar diskutimeve të brendshme në qeverinë greke pas dështimit në bisedimet me homologët shqiptare thekson se në fillim të muajit Dhjetor në mbledhjen e Këshillit Evropian kryeministri Mitsotakis mund të vendosë veton duke kërkuar ngrirjen e ndihmës financiare ekonomike për Shqipërinë.
Edhe zv. presidenti i KE-së Margaritis Schinas, kërkoi që autoritetet shqiptare të zgjidhin çështjen, për të mirën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kujtojmë se Beleri mbahet në pararburgim me akuzën e blerjes së votës në zgjedhjet e 14 majit.