Dy fjalë për Ramën, kullën dhe Klanin Berisha

0
428
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Carlo Bollino

Prej ditësh mediat po diskutojnë për kullën gjigante të quajtur ‘Mali i Tiranës’, e cila do të ngrihet në vend të asaj që prej dekadash njihej si gropa e Hajdin Sejdisë. Dhe ashtu siç ndodhi me gropën tashmë i takon kullës të ngrejë polemika të mëdha.

Deri tani askush nuk e ka kritikuar vetë kullën apo vlerën arkitekturore të atij projekti dhe në fakt polemikat kanë të bëjnë me financuesit e saj. Një pjesë pretendon se pas këtij projekti fshihen paratë e familjes Berisha dhe kjo lë të kuptohet se Edi Rama, i cili ka firmosur leje ndërtimi, në fakt ka nënshkruar një marrëveshje me rivalin e tij të lashtë. Pyetja së cilës askush nuk i përgjigjet me besueshmëri është: por në këmbim të çfarë?

Domethënë çfarë do të merrte Rama nga familja Berisha në këmbim të këtij pakti? Teoricienët e konspiracionit përgjigjen të sigurt: Pushtet! Domethënë, Berisha do të kishte përçarë PD-në dhe do të kishte hequr dorë nga fitimi i zgjedhjeve, përfshirë edhe ato të 14 majit, duke marrë në këmbim të drejtën për të investuar në atë projekt miliardash.

Megjithatë hipoteza nuk qëndron, për të paktën tre arsye:
1) Nëse do të ishte kështu, atëherë do të imagjinohej pjesë e marrëveshjes Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili e shpalli familjen Berisha ‘non grata’ por më pas edhe Lulzim Basha, reagimi i të cilit pas vendimit të DASH e shtyu Berishën të përçajë PD-në. Fakti që Basha sot drejton fushatën kundër kullës e hedh poshtë plotësisht këtë supozim.

2) Kushdo që negocion për pushtet në këmbim të diçkaje është sepse e di se do ta humbasë atë: por Edi Rama dhe Partia Socialiste janë super solidë në mazhorancën e tyre (dhe PD dhe Berisha janë të dobët si kurrë më parë). Pastaj nëse Berisha do të kishte vetëm një mundësi për të fituar zgjedhjet, do ta luante këtë mundësi pa hezitim edhe sepse me metodën e eksperimentuar tashmë nga familja e tij, në vend të një kulle, duke qenë pushtet, do të ndërtonte 50. Pra edhe hipoteza e negociatave me Berishën për të qëndruar në qeveri është qesharake.

3) Leja e kullës është dhënë një vit më parë. Nëse Edi Rama e paska dhënë për të blerë Berishën dhe ‘Foltoren’ e tij, si ka qenë raporti i tij dhe i qeverisë me Saliun e me ‘Foltoren’ dhe si ka qenë me Bashën këtë vitin e fundit? Sepse rezulton që betejat Rama dhe qeveria i kanë pasur me Berishën, ndërsa po të dëgjojmë analistët i tij, Edi Rama “dashuritë politike” i ka pasur me Bashën, jo me Berishën! Prandaj planit fantazmë politik rreth kullës i mungon motivi. Por atëherë cila është e vërteta?

Që kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, ai i ka habitur të gjithë duke thyer menjëherë një traditë të gjatë shqiptare të “mos e falur armikun”, pra ndëshkimit të të gjithë kundërshtarëve dhe mbështetësve të tyre. Ndryshe nga të tjerët, Rama, si një “demokristian ballkanik”, futi një formulë të re: miqtë e armiqve të mi mund të bëhen miqtë e mi.

Shumë socialistë u zhgënjyen dhe debati për mirësinë e kësaj zgjedhjeje është ende i hapur edhe sot, 10 vjet më vonë. Por Rama nuk ka qenë kurrë i dyzuar dhe kjo nuk shihet vetëm në marrëdhëniet e tij politike, mediatike dhe personale, por mbi të gjitha në klasën e sipërmarrësve që sot janë ndër më të spikaturit në vend: shumë nga ata kanë lindur ekonomikisht pikërisht në kohën e Berishës dhe Rama nuk i pengoi kurrë me asnjë vendim apo veprim të tij. Edhe për një llogari të thjeshtë pragmatike që në politikë vlen më shumë se hakmarrja: Biznesmenët e “armikut” ke interes me shume t’i kesh kundër apo afër?

Ndaj, të shohësh Ramën në një darkë me Gimin e Redbull, i cili sot del edhe ndër investitorët e super kullës ‘Mali i Tiranës’, mund të mos u pëlqejë ndonje socialistëve që njohin lidhjet e tij të ngushta dhe historike me familjen Berisha, por nuk mjafton për të legjitimuar ekzistencën e një pakt politik misterioz rreth atij projekti. Nuk mjafton sepse Rama e ka bërë gjithmonë këtë. Është mënyra e tij për të qenë liberal dhe i lire nga paragjykime personale, pikërisht e kundërta e Sali Berishës, i cili është joliberal dhe i lidhur ngushtë me paragjykime shekullore. Një karakteristikë që e rrit vlerën e Ramës në krahasim me rivalin e tij.

Pastaj, nëse pas Gimit të ‘Red Bull’ apo Ilir Shtufit, pronarit zyrtar të lejes së ndërtimit, fshihen vërtet paratë e pista të Shkëlzen Berishës, kjo jo vetëm që Edi Rama nuk mund të dijë por mbi të gjitha nuk mund të jetë objekt i asnjë pakti. Sepse ky do të ishte një vepër penale dhe sigurisht që nuk do të jetë Edi Rama ai që do ta pengojë SPAK ta hetojë dhe ndoshta ta zbulojë.

Edi Rama bën mirë dhe ka të drejtë që mbron zgjedhjen e tij për të ndërtuar atë kullë si shumë të tjera që po ndryshojnë horizontin e kryeqytetit, por ka gabim që inatoset nëse dikush hipotizon se pas atij projekti mund të fshihen paratë e pista të klanit Berisha. Siç e ka përsëritur mijëra herë vetë Rama, përgjegjësitë janë personale dhe nëse dikush merre hua për të pastruar para të pista, është e drejtë që ai të japë llogari. Shtypi e ka për detyrë t’i stimulojë këto kontrolle, por është gabim të fantazosh për pakte politike që ekzistojnë vetëm në imagjinatën e atyre që i thonë.

Zjarr Tv Ad