Teksa në Himarë po mbahet një protestë në mbrojtje të Fredi Belerit, një numër i madh mbështetësish janë grumbulluar në pedonalen e qytetit. Protesta ka zgjuar interes të madh të mediave greke, të cilat po ndjekin nga afër aktivitetin.
I pranishëm është edhe ish-ministri Ylli Manjani. Ky i fundit dha një deklaratë në shqip, duke e konsideruar arrestimin e Belerit si të gabuar dhe të paligjshëm.
“Unë jam avokat, ministër, por avokatia është profesioni tim dhe kam konstatuar se arrestimi është i paligjshëm, nuk duhet të ndodhte, ndalimi është i gabuar. Azgan Haklaj u zgjodh deputet nga burgu. Keni inat me Fredi Belerin, dakord por jepini hakun!
Sipas ish-ministrit të Drejtësisë kjo nuk është çështje e Fredi Belerit, por e demokracisë”.
“I have nothing against them. I love greeks, but this is for democracy”, tha Manjani në gjuhën angleze për mediat greke.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.