Pas vendosjes së kryerjes së zgjedhjeve të pjesëshme në Kukës që do të zhvillohen në 24 shtator, PD zyrtare ka kërkuar që kandidati të jetë i unifikuar, nën siglën zyrtare.
Mirëpo, Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, është kundër një kandidati të përbashkët të opozitës në këto zgjedhje.
Pas këtyre reagimeve, Partia Demokratike, Dega Kukës, ka reaguar sot duke apeluae se gjetja e një kandidati të përbashkët bën bashkimin dhe përfaqësimin dinjitoz në këtë garë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEGA KUKËS
Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.
Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.
Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve.
Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.
Partia Demokratike
Dega Kukës