Gazetari Klodian Tomorri ka ironizuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me rezervën e naftës së zbuluar në Shpirag dhe detajet të cilat i bëri me dije një ditë më parë në konferencën për shtyp.
Rama tha se është arritur deri në 6002 kilometra thellësi dhe me këtë detaj gazetari Klodian Tomorri është shprehur me ironi përmes një statusi në rrjetet sociale.
Në postim, Tomorri shkruan se kaq thellë ka shpuar për naftë kryeministri sa kemi dalë në Kili në anën tjetër të botës.
“Megjithatë pjesa më e bukur tek zbulimi i naftës në Shpirag ishte kur kryeministri tha kemi arritur në 6 mijë e 2 kilometra në thellësi të tokës.
Domethënë kemi hapur një vrimë aq të thellë saqë i kemi dalë Kilit andej në anën tjetër të botës.
Të keqen e Enverit kur thoshte pse s’ka lëndë të parë për traktoret, s’kemi mbjellë pambuk sivjet ne?
Ministrja e energjisë në krah, nuk guxonte t’i thoshte që zoti kryeministër janë metra këto, jo kilometra. Eh kështu kështu. Imagjino sa të sakta i ka infot e tjera qeveria.
Tani, kur të ndani ato lekët e naftës, neve që jemi nga zona na takon 3 herë më shumë se të tjerët. Se gjithë ajo turrielë e madhe që ka futur Shelli për të shpuar vrimë deri në Kili na ka prishur dhe shtëpitë”, shkruan Klodian Tomorri.