Nga Erion Dasho
Napoleonit i atribuohen shumë histori, një pjesë të ndodhura dhe një pjesë imagjinare. Sipas njërës prej tyre, Napoleoni dekoroi për trimëri një ushtar që kishte sulmuar pa urdhër duke e kapur armikun në befasi dhe ndihmuar në një fitore të shpejtë, për ta ekzekutuar më pas për shkelje urdhri.
Mesazhi i fabulës është i qartë: nuk mjafton ta bësh diçka mirë, por duhet ta bësh edhe sipas rregullave.
***
Historia e mësipërme më kujtohet sa herë shoh performancat e Boratit me vegla operacioni të ndryshkura duke u përpjekur t’i bindë qytetarët se koncesioni i sterilizimit ka bërë mrekulli në shëndetësinë shqiptare duke shpëtuar jetë, kursyer para, etj., etj.
Nëse në studion e një emisioni televiziv para shumë vjetësh, Borati kishte dy vegla të ndryshkura në dorë dhe performonte “solo”, dje kishte mbledhur një “ansambël” bluzash të bardha në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe kishte shpalosur jo dy, por një arsenal veglash që kush e di se nga cila magazinë ishin nxjerrë.
Një kolege, e cila deklaroi se nuk ishte as kirurge, bënte krahasimin dhe “argumentonte” mrekullinë që Borati dhe Beqja i vet i paskan sjellë kirurgjisë shqiptare.
***
Në radhë të parë, mua më vjen mirë që edhe pas hetimeve të SPAK-ut, Borati dhe Beqja vazhdojnë ta identifikojnë veten me koncesionin dhe ta mbrojnë atë. Kjo është e rëndësishme, pasi kur të përballen me një drejtësi të pakorruptuar ose edhe me një gjykatës ose prokuror të vetëm të ndershëm, këto performanca do t’u shtohen listës së provave të akuzës.
Borati ose nuk e kupton, ose vazhdon ta injorojë me ndërgjegje thelbin e problemit.
Asnjë mjek nuk thotë se sterilizimi nuk duhet! Askush nuk thotë se mjetet e punës që ka sjellë koncesionari janë difektoze! Unë e kam deklaruar në çdo koment timin se miqtë e kolegët e mi kirurgë janë përgjithësisht të kënaqur me cilësinë e punës.
Për faktin që mjekët sot kanë në duar instrumente cilësorë, Ilir Beqes dhe Edi Ramës, në stilin e Napoleonit mund t’u jepet nga një medalje e madhe e cila të mos u merret edhe pasi të dënohen për zullumet e shumta që kanë bërë.
Nëse provohen ato mijëra jetë të shpëtuara, Rama mund ta propozojë Ilirin edhe si kandidat për shenjtërim duke e shpalllur “Shën Beqja”!!!
Por, si Rama ashtu edhe Beqja duhet të japin llogari se përse…
》… Ilir Beqja bridhte me avion me fituesin e paracaktuar të tenderit para, gjatë dhe pas firmosjes së kontratës 100 milionë euro.
》… firmosnin kontratat duke hedhur gurin, por pastaj fshihnin dorën, madje edhe vetë kontratën, duke ua faturuar fajin vartësve të cilët ata vetë i kishin komanduar.
》… në vend që ato 400 milionë euro të koncesioneve t’ua jepte oligarkëve dhe bashkëfluturuesve të vet, t’i përdorte me nikoqirllëk për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor shqiptar.
》… duke privuar spitalet nga laboratorët dhe njësitë e sterilizimit, i bënte një dëm të pariparueshëm cilësisë së kujdesit dhe sigurisë së pacientit.
》… duke vendosur limite kriminale, i privon pacientët nga operacionet jetëshpëtuese apo edhe analizat laboratorike, sapo mbushen “kuotat” e koncesionarëve.
》… duke keqpërdorur 400 milionë euro, i privon gjithë shqiptarët nga mundësia që p.sh., që sot të kishin spitale rajonalë të ndërtuar nga e para.
》… duke grumbulluar 400 milionë euro në pak duar, krijonte monopole të rrezikshme dhe asfiksues për gjithë sistemin shëndetësor shqiptar, vriste konkurrencën dhe shpirtin e tregut të lirë.
***
Borat,
Mjaft brodhe spital më spital sikur ti dhe Beqja yt keni shpikur sterilizimin! Ka qindra vjet që mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor e jo-shëndetësor pastrojnë instrumente, i sterilizojnë ato dhe garantojnë asepsinë në salla operacioni dhe çdo mjedis ku ofrohet kujdes shëndetësor kritik.
Nga ju nuk po kërkohet të jepni llogari për këtë pjesë të historisë, por për të gjithë paudhësitë e tjera të sipërpërmendura!
Duke pritur që Presidenti ynë i nderuar ndoshta bëhet Napoleon dhe dërgon para përgjegjësisë ligjore Ramën dhe Beqen e vet, këta të fundit le të mos fshihen pas fundeve të servileve dhe servilëve, por të vetëdorëzohen para drejtësisë!
Qoftë edhe asaj drejtësie që kanë krijuar dhe komandojnë vetë!
Dhe t’ua kursejnë shqiptarëve përrallat me vegla të ndryshkura dhe me heronj dymetroshë që shpëtojnë mijëra jetë!
Shqiptarët janë ngopur tashmë me përrallat e rilindjes…