Një 68-vjeçar u plagos me thikë nga një vajzë e re pasi i moshuari tentoi që ta përdhunonte. Shtetasja me inicialet N.N., e goditi disa herë shtetasin Zef Paloka pasi ky i fundit i shkoi në orët e darkës afër banesës dhe tentoi që të kryente me të veprime të turpshme.
68-vjeçari u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës teksa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje duke nisur hetimet. 21-vjeçarja me inicialet N.N., u arrestua nga efektivët si autore e dyshuar e plagosjes.
Mësohet se vajza e re nga Vau i Dejës ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Ajo deklaroi se prej një viti 68-vjeçari e ngacmonte seksualisht derisa mbrëmjen e djeshme i shkoi afër shtëpisë duke tentuar të kryejë me të marrëdhënie seksuale.
BalkanWeb ka siguruar dëshminë e vajzës në polici.
“Prej një viti më ngacmonte në rrugë pasi jemi afër me banesa në të njëjtën lagje. Unë nuk ia kam kthyer asnjëherë. Mbrëmë më erdhi afër banesës dhe filloi sërish të më ngacmojë ndërsa bëri edhe veprime të turpshme përpara meje. E ndodhur në këtë situatë shkova në shtëpi dhe mora një thikë duke e goditur për t’u vetëmbrojtur pasi nuk kisha rrugë tjetër”, mësohet të ketë deklaruar autorja e dyshuar.
Ndërkohë 68-vjeçari Zef Paloka ka mohuar se e ka ngacmuar seksualisht dhe se ka kryer veprime të turpshme përpara saj. Zef Paloka nuk është arrestuar ende nga policia pasi deklarimet e 21-vjeçares për tentativën e përdhunimit nuk janë të vërtetuara. Mësohet se vajza e re merrej me bujqësi pranë shtëpisë së saj. Policia dhe prokuroria e Shkodrës po vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen e ndodhur në Vau Dejës.