PD rikrijon Shoqatën e të Zgjedhurve Vendore, ja kush është kryetari dhe 2 nënkryetarët

0
96
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike ka rikrijuar ditën e sotme Shoqatën e të Zgjedhurve Vendorë, e cila do të ketë detyrë kryesore mbrojtjen dhe konsolidimin e standardeve të përcaktuara në Kartën e Kongresit të Autonomisë Lokale.

Kryetari i kësaj shoqate do të jetë kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja. Rezolutën e Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë e lexoi në Asamblenë e Përgjithshme, kreu i Bashkisë së Mirditës Albert Mlyshi.

Në rezolutë dënohet farsa e 14 majit, ndërsa theksohet se shoqata e bashkive do të jetë një zë i fortë i opozitës dhe do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet.

Në panelin e Asamblesë së të Zgjedhurve Vendorë, ishin të pranishëm edhe kryetari i këshilltarëve bashkiakë në Tiranë, Ilir Alimehmeti, kreu i Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, të cilët teksa theksuan rëndësinë e transparencës për qytetarët, ngritën shqetësimin për mungesën e fondeve nga qeverisja qendrore për bashkitë e fituara nga demokratët.

Gjatë kësaj asambleje, Sekretari për Pushtetin Vendor, Ylli Asllani bëri me dije edhe organet drejtuese të Shoqatës së Bashkive.

Në krye do jetë Fisnik Qosja, dy nënkryetarët do jenë kryebashkiakët e Mirditës dhe Memaliajt, Albert Mlyshi dhe Albert Malaj. Kryetar i Dhomës së Qarqeve do të jetë kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti, ndërsa në krye të Dhomës së Bashkive, doktor Ilir Alimehmeti.

Riorganizimi i Shoqatës së Bashkive u bë me votën e anëtarëve të Asamblesë së të Zgjedhurve Vendorë.

Zjarr Tv Ad