Nga Lutfi Dervishi
Kur bie shi dhe kur ka një vizitë të një shtetari të huaj Tirana kthehet në një parkim. Asgjë nuk lëviz. Edhe milingona më ambicioze ngec. Simfonia e borive, shoferëve të bezdisur dhe ulërimave të policëve të trafikut i japin qytetit pamjen e një pavioni.
Absolutisht që siguria kur ke vizita të nivelit të lartë merr prioritet, por jo duke bllokuar një qytet të tërë. Zgjidhja më e thjeshtë shihet te bllokimi i rrugëve. Mbyllen shkollat. Mbyllen bankat, mbyllen bizneset.
Imagjino të paralizohet Parisi apo Roma se shkon për vizitë kryeministri i Shqipërisë. Kulla Eifel? Mbyllur për arsye sigurie. Koloseu – shiheni një herë tjetër se kemi vizitë shtetërore në Romë.
Me stilin tonë të menaxhimit të vizitave të nivelit të lartë, Brukseli, ku ka çdo ditë samite të BE -se e Nato-s, do të futej ne kolaps total. Me kaq vizita të nivelit të lartë Izraeli nuk do të kishte telashe këto ditë me raketat e Hamasi, por me trafikun në Tel Aviv..
A ka zgjidhje?
Po sikur të investohej aty ku po investohet ditë e nate… në aeroport dhe ta kthenim Rinasin në një vend madhështor eventesh? Aty pret e përcjell dhe nuk bllokon një qytet të tërë.
Një sallë e madhe, një kinema ku shfaqen arritjet e Shqipërisë, qilima të kuq që nga avioni e deri në sallën e pritjeve, fishek – zjarrë dhe valltarë, një spektakël i vërtetë.
Shqipëri kështu kthehet në një one-stop shop gjigand dhe model për gjithë botën. Kështu ulim ndotjen në atmosferë dhe kontribuojmë konkretisht edhe në luftën ndaj ngrohjes globale.
Aeroporti kthehet në një vitrinë fantastike për vendin dhe ne të tjerët këtej vazhdojmë me rutinën e përditshme duke shkuar në punë, në shkollë, ose thjesht duke shëtitur në pyjet orbitalë.
Me një investim modest me një ofertë të pa kërkuar mundet që Shqipëria të shtojë në listën e atraksioneve krahas plazheve magjikë të jugut dhe alpeve të veriut edhe aeroportin “one stop shop”.
Kështu edhe jeta e qindra mijëra njerëzve nuk kthehet në një sfond për vizitat zyrtare dhe të gjithë dalim të fituar. Si ne, si mysafirët e nderuar fitojmë atë që mendojmë se e kemi me okë..- kohën.
Zgjidhjen e kemi në dorë- ose të vijojmë jetën me trafikun e përditshëm ose të kthejmë Tiranën e dashur në një parkim gjigand.