“Shpërndahuni”! Festa me BE mbaroi

0
12
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA ANDI BUSHATI

Udhëheqësit e vendeve evropiane dhe ballkanike do ta lënë pas krahëve Tiranën për të vazhduar me axhendat e tyre, ndërsa këtu te ne do të buçasin boritë propagandistike për suksesin historik të samitit të Berlinit, që për herë të parë u zhvillua në një vend të rajonit. Natyrisht, askush nuk mund ta mohojë se fakti që kjo mbledhje u zhvillua në Shqipëri, krijon një efekt pozitiv.

Si mjeshtër i shndërrimit të politikës në spektakël, Edi Rama u mundua ta bëjë edhe më të madh atë. Duke u servirur liderëve të kontinentit një minipremierë nga Angjelin Përlocaj, duke ngritur perden për zbulimin e tablosë, “Përdhunimi i Europës”, duke e vënë veten në rolin e leximtarit të një kronike të transformimit të vendit, ai bëri ç’është e mundur për ta pompuar sa më shumë ngjarjen që po ndodhte.

Dhe sapo ajo të akrivohet, në analet e propagandës rilindase do t’i bashkëngjitet enumeracionit të drejtimit të OSBE-së, fjalimit “historik” të mbajtur gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit dhe risisë së pritjes në hotelin “Marriott”, të samitit BE-Ballkan Perëndimor, në dhjetorin e shkuar. Të gjitha këto ngjarje Edi Rama dhe borizanët e tij i kanë përfshirë në ligjërimin propagandistik të peshës dhe rolit që ka marrë Shqipëria, në periudhën e veçantë të drejtimit nga rilindja. Ato konsiderohen si shenjë e rritjes së dinjitetit dhe rolit të vendit në arenën ndërkombëtare sipas logjikës “arritët të vaksinoheshit, pasi më kishit mua”.

Le ta përsërisim edhe njëherë, të gjitha këto janë ngjarje që ndihmojnë sadopak në imazhin e Shqipërisë. Deri këtu jemi dakord. Por përtej kësaj çdo hiperbolë tjetër është thjeshtë shpëlarje turi. Dhe për të kuptuar këtë mjafton një krahasim i thjeshtë. Mjafton t’i vësh këto data dhe ngjarje në një perspektivë më të gjatë historike. Le të provojmë të zhytemi në këtë linjë krahasuese. Në tetë vitet e sundimit të tij, si për mua, ashtu edhe për një shumicë dërmuese shqiptarësh, Sali Berisha e ka qeverisur keq këtë vend.

Ai bën pjesë në aradhën e atyre drejtuesve që e ka penguar ritmin e zhvillimit të një shoqërie demokratike dhe përafrimin e saj me vlerat perëndimore. Por, po të analizojmë bilancin ndërkombëtar të 8- vjeçarit të tij, me pranimin në NATO dhe liberalizimin e vizave, këto shfaqjet spektakël që ndodhin sot duken qesharake. Nëse bëhet fjalë për data që lenë shenjë në histori, ato janë mbyllja njëherë e mirë e problemit të sigurisë së vendit në 2008-ën dhe mundësia e shqiptarëve për të lëvizur lirshëm, pas gjysmë shekulli, më 2010-ën.

Pas dy apo tri dekadash askush nuk do të kujtohet për një mbledhje rutinë të Procesit të Berlinit që deri atëherë mund të jetë shuar, por bërja pjesë e Aleancës EuroAtlantike do të jetë e fiksuar në libra. Po ashtu, pak kujt do t’i bjerë ndërmend se kush e priti presidentin Bush, apo atë Makron, por ama fakti se shqiptarët fituan lirinë e lëvizjes nuk do të shlyhet lehtë nga memoria. Të para nga kjo perspektivë, zhurma për drejtimin e OSBEsë, Këshillit të Sigurimit, apo disa mbledhje rutinë ku Shqipëria ishte mikpritëse, por jo subjekt, nuk e justifikon zhurmën e daulleve që po buçasin sot.

Propagandistëve që i thurin lavde liderit që e bëri Shqipërinë të madhe i duhet thënë: “Shpërndahuni! Festa mbaroi”. Ndonëse për të mos qenë cinikë deri në ekstrem ndaj atyre që duan të gëzojnë me çdo kusht, ia vlen t’u japësh motiv. Po vërtet, ky samit i Procesit të Berlinit e pati një rëndësi.

Por ajo nuk qëndronte, as në performancat artistike me regji të Ramës dhe as në minikronikën, ku ai bëri spikerin që flet anglisht. Kjo “dhuratë” për Shqipërinë u negociua si shkëmbim i daljes së vendit nga aventura prosllave e Ballkanit të Hapur. Dhe po, në këtë kuptim, ky ndryshim kursi i Tiranës e meritonte një festë. Marrë nga “Lapsi.al”

Zjarr Tv Ad