Me anë të një postimi nënkryetari i PD, Roland Bejko ka ironizuar Berishën dhe Ramën, pas deklaratës së deputetit Luan Baci që deklaroi se flakadanët në kuvend ju kishin ardhur nga kolegët e PS.
Postimi i Roland Bejkos
Pas zjarrit të ndezuar sot në parlament, Sali Berisha shpreson t’i shpetojë zjarrit qe SPAK ka ndezur në avllinë e tij.
Sa herë Berishës i duhet të përballet me drejtësinë është gati të ndezë zjarr; sa herë që Edi Ramës i duhet të japë llogari për krimin dhe korrupsionin që i ka mbërthyer qeverinë i duhet nje aleat zjarrvënës.
Tani është koha që Sali Berisha dhe Edi Rama të japnin llogari para SPAK, por në vend të saj, këta të dy në bashkpunim me njlri tjetrin na shfaqin spektaklin e rradhës.
Asnjëri prej tyre nuk ka interes për llogaridhënie në parlament sepse u dalin zbuluar oligarkët e përbashkët që marrin shumicën e parave nga buxheti i shtetit.
Sot do diskutohej në Parlament buxheti ku dhe si do përdoreshin paratë e shqiptarëve për vitin tjetër. Por Berisha me zjarrin që ndezi në mes të sallës nuk u dha mundësi shqiptarëve të dëgjonin mbi abuzimet e mundshme financiare që qeveria e Ramës ka llogaritur të bëjë më 2024.
Rama dhe Berisha janë bashkë sipas parimit, “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën e aleancës së kullave me oligarkët e përbashkët të korrupsionit”.
Një deputet i Saliut, (shkuar në parlament me firmën e Lulit të cilit i dogjën tavolinën në Parlament), sapo konfirmoi në Top News se flakadanët në sallë nuk i fusin deputrtët e foltores, se ata i kontrollon garda një për një, por janë deputet e PS që ua japin pasi ata nuk kontrollohen nga garda.
E falenderoj shumë zotërinë, sepse pikërisht këtë kam thënë që ditën e parë kur Saliu e ndezi folëtoren e parlamentit flakë, dhe më pas na rezervuan shfaqjen e cirkut duke dalë nga porta e duke u kacavjerë mbi kangjallat e dritaret e kubendit.
Pra kam thënë dhe vazhdoj ta them se Edi Rama është duke e ndihmuar Saliun që sa herë duhet të paraqitet në SPAK, të ndezë flakadanë në parlament. Me bllokimin që Saliu i bën debatit në Parlament për hallin e vet, Rama kalon buxhetin pa debat, që do të thotë, se me ndihmën e Saliut, Rama u heq mundësinë shqiptarëve të marrin vesh nëpërmjet diskutimeve të deputetëve të pakapur nga “Trekëndëshi i Bermudës” se çfarë buxheti abuzues ka planifikuar Rama për 2024.
Pra Rama e ka ndihmuar Berishën sot sipas vet deputetit të tij, duke i dhënë urat e zjarrit për t’i vënë flakën si Neroni, Agorës së përfaqësimit popullor, ndërsa Berisha e ndihmon Ramën ta kalojë buxhetin pa debat, pa transparencë, pra, ashtu siç e do vet ai dhe Oligarkët që do t’i përfitojnë miliardat si investime publike.
Parimi i tyre është, “shoku-shokun ta ndihmojmë, në rrezik, e në nevojë”.
Në fakt, nga njëra anë, zjarri që ndez në Kuvend Sali Berisha i ndihmuar nga Edi Rama, është mesazh që u dërgohet amerikanëve që ta tërheqin SPAK nga misioni i tij për të goditur Trekëndëshin e Bermudës, pasi dihet që rënia e njërit, sjell herët a vonë, edhe rënien e tjetrit.
Dhe nga ana tjetër, Saliu vet, tymin nga flakadanët e dhuruar nga Rama, e nxjerr në çatinë e parlamentit si një tjetër mesazh për amerikanët, për t’iu thënë se në rast se do vazhdoni ta thelloni goditjen ndaj meje, unë jam në gjendje që të djeg jo vetëm parlamentin, por edhe Shqipërinë, dhe më tej të destabilizoj Ballkanin.
Por kot e kanë, nga ai vesh, as SPAK, as amerikanët, për fat të mirë, nuk dëgjojnë. Ajo që është nisur do shkojë deri në fund.
Trekëndëshi i Bermudës do shkërmoqet, dhe shqiptarët do shpëtojnë prej tyre njëherë e mirë, e përgjithmonë.