‘Në të s’ëmës’ do shkojnë hakmarrjet dhe intrigat e tua politike, Edi Rama!

0
239
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ndriçim Kulla

Të shkruash për një kryeministër si ty nuk duket të jetë diçka e vështirë, pasi jo vetëm bëmat e tua të gjithë kohës së qeverisjes janë në sytë e të gjithëve dhe ulërijnë me lakuriqësinë e paaftësisë së parashtrimit të prioriteteve qeverisëse, por sidomos skandaleve dhe rekordeve të korrupsionit dhe mënyrave të menaxhimit të krizave të rindërtimit dhe pandemisë, të aferave korruptive të inceneratorëve, të intrigave makbethiane me Mcgonigal, kapjen peng të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt etj. të cilat së fundi po të bëjnë kryeministrin e veçantë duke ecur rrugëve si ai Mbreti Lakuriq i përrallës së Andersenit.

Ty të duhet të ecësh edhe mbas tre vjetëve rrugëve të Shqipërisë i veshur me petkun e rindërtuesit të shtëpive të shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme të fundvitit të para katër vjetëve, por harron se as nuk dite atëherë t’u shërbeje në kohë qytetarëve dhe as e përligje dot mirënjohjen e komunitetit ndërkombëtar që u tregua aq shumë bujar, aq shumë ndihmues dhe aq shumë solidar me popullin shqiptar.

Pse e them këtë?!

Sepse ritmi aq shumë i ulët i realizimit të kësaj detyre që ishte mision që ndërkombëtarët ia kanë dhënë detyrë qeverisë dhe aspak program fushate që paturpësisht u trumbetua nga qeveria, të bën të ecësh lakuriq me paaftësinë tënde të organizimit dhe menaxhimit. Aq më tepër që mungesa e transparencës së të gjitha ritmeve të këtij procesi, pa kokë e pa strukturë, jo vetëm të bëri Pinok përpara njerëzve, por edhe të nxori zbuluar para ndërkombëtarëve.

Po njëlloj, të bën të ecësh lakuriq në çdo dalje në publik apo ekrane për t’u dukur vetja sikur je i veshur madhërishëm me petkun e shëruesit apo vaksinuesit të madh të problemeve të kombit shqiptar, ndërsa mënyra se si ndërhyre në konfliktin Kosovë – Serbi para dhe pas sulmit të shovinistëve serb në Banjskë tregon qartë se me çfarë vaksine tradhtie orvatesh të injektosh interesin kombëtar. Duke u sjellë si prodhues dhe si shpikës i vaksinave të problemacitetit kombëtar, madje i të gjitha vaksinave problemore që duhej të kishte Shqipëria tashmë para dhe mbrapa të ndjek hija prej bashkëpunëtori krimi e aferës monstruoze McGonigal që miqtë e tu lobistë të japin kurajo që të shprehesh se nuk je i shqetësuar.

Duket që dëshira jote prej mburraveci proverbial është bërë një mall tashmë mjeran, sepse po sheh që shumëkush nuk po pi më nga uji i gamiles tënde që po soset në shkretëtirën e vetmisë ku do të dergjesh në perspektivën tënde politike të dëshpërimit. Vetëm se një gjë po e harron dhe bën krim që e harron. Ky popull i varfëruar më shumë se kurrë gjatë mandateve të tua dhe i shfrytëzuar si kurrë ndonjëherë, deri në palcë nga PPP-të e tua korruptive nuk harron dhe do të kërkojë llogari deri në poshtërsinë e tënde më të fundit, edhe sikur ti të arratisesh në vetminë e zhgaravinave të tua alla kreative.

Edhe aty në mes bojërave të studios së Surrelit apo të një galerie që mund të hapësh në Paris apo Berlin me lekët që ke ndarë me oligarkët, pamëshirëmisht edhe në kohën e pandemisë, ty do të kërkojnë një për një çdo gjë që i ke bërë dhe si i ke bërë gjatë këtyre viteve.

Do ta kërkojnë edhe për zvarritjen që i solle ekonomisë nga mungesa e vizionit, edhe për lënien në dorë të fatit dhe të darës shtrënguese të pandemisë, të të gjitha llojeve të bizneseve që “ulërinin” për ndihmë ekonomike nga shteti i tyre që i kishin paguar taksat një jetë të tërë, dhe që si askund në Evropë e botë, morën si ndihmë veç lëmoshë, tallje dhe propagandë fyese, lustruar në ekranet,fotografitë e mashtruesit global dhe shtypin kapilar të qeverisë, si planin më të mirë të mundshëm të “pamundësisë ekonomike” ku e ka zhytur vendin kriza qeverisëse.

Po si qershia mbi tortë e propagandës ose bishti prapa shallvareve të kryeministrit qëndron arroganca tënde dallkauke, që përtej qinqjit të veshur “modern” me brekushe e çitjane të modës, fsheh “ujkun” e pangopur për pushtet që i shkon për bukuri personazhit të Fishtës me emrin “brandevrek hafija”. Vetëm se këtij ujku duket se i kanë rënë përfundimisht dhëmbët, pasi shqiptarët nuk harrojnë asgjë, as patriotizmin e nëndheshëm që shpie ujë në tradhtinë më të madhe kombëtare me idenë e tij të ndarjes së trojeve shqiptare në Kosovë, as me plagët qindramiliona eurosh të borxheve në Arbitrazh që i le trashëgim çdo qytetari shqiptar, megallomania jote e verbër. Çdo familje shqiptare do të kërkojë llogarinë deri në qindarkën e fundit,për paaftësinë haluçinante ligjore dhe mungesës së respektimit të kontratave që kryeministri e ka në ADN-në e vet, duke ia transmetuar kështu si “mesazh udhëheqës” të gjithë zyrtarëve të administratës së tij”.

Mund të zgjatesh më shumë në listën e bëmave që ja kanë zhveshur rrobat e qepura aq bukur me propagandë të kryeministrit që tashmë në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2025 që e ka nisur një vit e gjysmë më përpara, duke futur liderin e opozitës në burg politikë ngaqë nuk di të ofrojë gjë tjetër përveç represionit, edhe kur i thonë që je lakuriq, i ngjan vetja si i veshur. Është rrjedhojë e një gjendjeje të vështirë një sëmundje e tillë e vetëbesimit që e bën të vazhdojë të ecë lakuriq, ndaj arroganca e dalldisë që e kap herë pas here, duke sharë e fyer sa majtas sa djathtas, kë sheh e kë mendon më parë, nuk ka shumë rëndësi për ta mbuluar trupin e tij të stërmadh të gënjeshtrës dhe paturpësisë.

Çdo fyerje dhe poshtërsi e hedhur si dorashkë sfide ndaj opozitës është thjesht një gjethe fiku që s’mbulon dot asgjë, përkundrazi e bën akoma dhe më grotesk. Mund t’i ngatërrohet goja edhe nga inati, mund t’i shpërfytyrohet fytyra nga frika, edhe nga urrejtja, por edhe nga psikoza e humbjes kur merr fjalët e përçmimit dhe urrejtjes e i përdredh nëpër gojë. Ndaj, nuk dihet se cila nga këto simptoma psikologjike e ka shpënë deri në përdorimin e fjalës “në të s’ëmës” dikur ndaj një ish-drejtuesi rilindas , por ama dihet në mënyrë të sigurt se kemi të bëjmë me një rast patologjik, të cilit i duhet t’i përgjigjesh me po të njëjtën arrogancë.

Ndaj “në të s’ëmës” do shkojnë të gjitha hakmarrjet, kultura e mbrapsht politike dhe intrigat e tua makbethiane, Edi Rama!

Kjo është përgjigjja paraprake e fitores triumfale që po përgatit fundin e monstrës tënde.

Zjarr Tv Ad