Dje në editorialin e emisionit të tij në televizionin ABC News, gazetari Sokol Balla duke ju referuar kreut të grupit parlamentar të PD u shpreh se: “Gazment Bardhit po i shtohen çështjet që lidhen me drejtësinë edhe SPAK sot e paralajmëroj e njoftoj se mesazhet që e lidhin me Vis Martinajn ishin të sajuara.
Por duke e këshilluar që herë tjetër të mos nxitohet ai dhe të tjerët për të publikuar materiale të paverifikuara. Ndoshta një paralajmërim që ai të mos thellohet në gabimet e Salianjit pasi karma të rikthehet herë në formën e Vinit herë në formën e Visit dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur”.
Kjo deklaratë e gazetarit Sokol Balla rezulton të ketë disa pasaktësi dhe një mesazh që mund të konsiderohet si kërcënim publik ndaj kreut të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.
Duke deformuar njoftim e SPAK që konfirmonte denoncimin e Gazment Bardhit që bisedat e supozuara në SKY/ECC mes Ervis Martinaj dhe Eriges Mihasi, ishin të sajuara dhe nuk ekzistonin më asnjë dosje të SPAK, gazetari Sokol Balla thotë se: “Gazment Bardhit po i shtohen çështjet që lidhen me drejtësinë”.
Askush nuk e kupton dot këtë deklarim të gazetarit Balla se çfarë çështjesh me drejtësinë ka Gazment Bardhi. E vërteta është që nuk ka asnjë sepse po të kishte do ishin publike. Të vetmet çështje me drejtësinë që ka Gazment Bardhi janë kallëzimet e tij në SPAK kundër korrupsionit të dyshuar qeveritar, përfshirë dyshimet për abuzim me detyrën të zevendëskryeministres Belinda Balluku, nëna e fëmijëve të gazetarit Sokol Balla.
Sipas gazetarit Sokol Balla, “SPAK sot e paralajmëroj Gazment Bardhin dhe e njoftoj se mesazhet e supozuara të Vis Martinajn ishin të sajuara”. Por në të vërtetë, SPAK nuk paralajmëroj Bardhit, thjesht konfirmoj atë që Bardhi kishte thënë që një javë më parë, se mesazhet e supozuara ishin të sajuara dhe paralajmëroi mediat e aktorët publik që të bëjnë kujdes në publikimin e lajmeve të rreme.
Por më e rënda ishte paralajmërimi që gazetari Sokol Balla i bëri Gazment Bardhin që “të mos thellohet në denoncime”, pra të mos denoncojë më skandalet e kryeministrit dhe familjes së tij, korrupsionin e qeverisë, lidhjet e saj me krimin e organizuar, sepse sipas Ballës në këtë rrugë Bardhi do të ketë vetëm dy mundësi për fundin e tij: “ose në ‘burg’ si Salianji ose ‘i zhdukur, i dyshuar si i vrarë’ si Ervis Martinaj”.
Lidhur më këtë mesazh të fundit publik ka reaguar edhe vetë Gazment Bardhi, përmes një letre të hapur drejtuar gazetarit. Bardhi shkruan se Sokol Balla duhet të shqtësohet për fundin e Edi Ramës, dhe jo për fundin e tij.
Më poshtë letra e hapur që Gazment Bardhi ka publikuar në rrjetet e tij sociale, ku ka publikuar edhe videon e mesazhit publik të gazetarit Sokol Balla:
“I dashur Kol Balla,
Familja ime, bashkëpunëtorë dhe miq të mi, më nisën të shqetësuar një video (video më poshtë – pjesë e shkëputur nga editoriali hyrës i emisionit tënd) ku më “këshilloje” që të mos thellohem në denoncime pasi karma të kthehet herë në formën e Vinit (në burg) e herë në formën e Visit (i zhdukur dhe i dyshuar se është vrarë), dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur.
Të falënderoj shumë për “këshillën”, por më lejo të të informoj ty dhe përmes teje Edi Ramën, se unë kam vendosur t’i shërbej interesit publik, pra do të THELLOHEM në denoncime! Por si gjithmonë, me fakte e prova!
Fati i keq i Edi Ramës dhe kujtdo që leh për llogari të pushtetit të tij është që kurrë nuk ka ndodhur që denoncimet e mija me fakte e prova të kenë rezultuar të pavërteta. Propaganda i ka sulmuar për disa ditë, por nuk e ka mbuluar dot kurrë të VËRTETËN!
Prandaj, rri i qetë dhe mos u shqetëso për fundin tim! Ndërkohë, fillo e shqetësohu seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij!” – shkruan Bardhi.