Qarkorja e sapo dalë nga Ministria e Brendshme ishte kërkuar nga organizatat e emigrantëve shqiptarë për funksionimin normal të procesit të zbatimit të dispozitave të reja për emigracionin, që u miratuan muajin e kaluar nga Parlamenti grek.
Ligji i ri , përveçse i hap rrugën dhënies së nënshtetësisë fëmijëve të brezit të dytë, vlerësohet nga analistët në Athinë, pasi jep mundësinë e legalizimit edhe të shumë kategorive të tjera të emigrantëve.
Në kriteret e njoftuara nga Ministria e Brendshme greke në Qarkoren e fundit përcaktohet se të drejtën për përfitimin e nënshtetësisë e ka çdo fëmijë i lindur në Greqi, kur një nga prindërit e tij provon se ka pasur një status të ligjshëm qëndrimi prej 5 vitesh në Greqi. Po kështu prindi aplikues duhet të jetë mbajtës i lejes afatgjatë të qëndrimit lejes 10-vjeçare, apo lejes pa afat.
Sipas autoriteteve greke, taksa për aplikimin për nënshtetësinë nga brezi i dytë i emigrantëve kushton 100 euro.
Vendimi i autoriteteve greke i hap rrugën, sipas analistëve nga Athina, lehtësive për fëmijët shqiptarë. Shumë prej fëmijëve te emigranteve gjenin probleme si në integrimin në sistemin arsimor grek, edhe në lëvizjen në kufi, sidomos prej problemeve që u krijuan me shkrimin në gjuhën shqipe të emrit të vendlindjes në Greqi, në pasaportat e tyre shqiptare.
Por dhënia e nënshtetësisë greke fëmijëve shqiptarë shton vështirësitë për mijëra familje shqiptare që duan të kthehen në Shqipëri, të detyruar nga kriza e thellë ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer Greqinë.
Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi thonë se vetëm fëmijët i mbajnë ata të detyruar të qëndrojnë në Greqi, megjithëse kanë humbur vendet e punës dhe e kanë të vështirë të mbijetojnë ekonomikisht.
Fëmijët, sipas emigrantëve, janë të integruar në jetën greke dhe e kanë të vështirë të përshtaten, nëse kthehen në Shqipëri. Fëmijët kanë probleme jo vetëm të përshtatjes ne jetën shoqërore shqiptare, por sidomos me sistemin arsimor shqiptar, pasi nuk njohin gjuhën shqipe.
Organizatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi u kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare të ndihmojnë në çeljen e kurseve të mësimit të shqipes në Greqi dhe të ndihmojnë me tekste dhe materiale mësimore që fëmijët të ruajnë gjuhën amë.