Banorët e zonës së ‘Astirit’ në Tiranë kanë bllokuar sërish rrugën sot në shenjë proteste pas vendimit të qeverisë për shembjen e banesave të tyre.
Ata njëzëri e kanë cilësuar vendimin në fjalë të padrejtë, ndërsa janë shprehur se nuk do të lejojnë shembjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.
Ndërkohë tubimi është shoqëruar me tensione, pasi një prej operatorëve të një televizioni ka rënë pre e dhunës. Në pamjet shihet se si dy djem të rinj, që kishin ngelur në trafik me makinë, për shkak të bllokimit të rrugës nga tubimi, dhe janë konfliktuar me protestuesit.
I irrituar ai ka goditur kameramanin në fytyrë dhe i ka dëmtuar kamerën operatorit, pasi ky i fundit ka qenë duke filmuar. I riu i irrituar ka dalë nga mjeti dhe ka kërkuar që operatori mos të filmonte, pasi po bllokonte rrugën dhe më pas e ka goditur me grusht.
Protestuesit bllokuan rrugën në orën 10:00, ndërsa nuk do të lejojnë qarkullimin e mjeteve. Kujtojmë se dje për disa orë banorët e kësaj zone bllokuan të dyja anët e Unazës së Re, ndërsa protestuan me pankarta në duar. Bashkë me ta kanë qenë edhe disa deputetë të PD-së, madje edhe kryedemorkati Lulzim Basha.