Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me strukturat e tij në Vlorë ditën e sotme.
Në një prononcim për mediat, Basha u shpreh se shqiptarët meritojnë më shumë se sa “tangoja e vjetër që kërkon t’i mbajnë peng”, duke theksuar se nuk do të ndalet në rrugën për t’u dhënë alternativën që u mungon.
“Uroj që struktura jonë, që është gati dhe ka filluar punën për fushatën e ardhme, t’u paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e PD”, u shpreh Lulzim Basha.
I pyetur nëse do të krijojë një parti të re politike, Basha nënkuptoi se kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, ku ka bërë rekurs vendimin e Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
“Nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje, programi dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohet shqiptarëve”, tha ai.
Basha shtoi se derisa Gjykata e Lartë të japë vendimin do të vazhdojmë punën, teksa theksoi se “do të hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët t’i mbyllë në ekuacionin e të vjetrës, kryeministri apo ish-kryeministri.”
Pjesë nga deklarata:
Basha: Një takim me strukturat drejtuese të demokratëve euroatlantikë për të vazhduar pa asnjë ndalesë rrugën që kemi nisur, për tu dhënë shqiptarëve alternativën që ju mungon në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë një tjetër tango e të vjetrës dhe të keqes që ka pushtuar vendin, por shqiptarët të jenë mundësi të votojnë për programin që meritojnë. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se sa tangoja e vjetër që kërkon t’i mbajnë peng nga analet e vjetra të politikës së korrupsionit dhe të krizës ekonomike ku ka zhytur vendin.
Do të ketë një parti të re politike?
Basha: Partia politike ekziston, ne kemi strukturat, organizimin, kemi njerëzit, programin, ajo që diskutohet është emri. Duke çuar rekursin në Gjykatë të Lartë, ne nuk mund të pranojmë padrejtësinë. Uroj që struktura jonë, që është gati dhe ka filluar punën për fushatën e ardhme, t’u paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e PD.
Por nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje, programi dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohet shqiptarëve?
Edhe sa do të prisni?
Basha: Ne nuk do të presim asnjë sekond, gjithë këtë kohë do ta kalojmë duke shpalosur këtë alternativë pranë qytetarëve. Do të vazhdojmë punën tonë. Do hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët t’i mbyllë në ekuacionin e të vjetrës, kryeministri apo ish-kryeministri, kjo nuk është alternativa për shqiptarët.