Partia Demokratike ka reaguar lidhur me denoncimet e fundit të ardhura nga LSI për Inceneratorët, ku 24 kompani thuhet se kanë kryer miliona dollar evazion fiskal.Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi u shpreh se dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit.Këlliçi shtoi se PD i bën thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI BELIND KËLLIÇI
Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti. Për Mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet. Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi. Dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit. Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fake’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.
‘Fake’ sepse, pas tyre janë Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj dhe Rama. Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve’.
Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze. Nën dritën e fakteve të reja, skandalit të radhës dhe traditës në hajdutëri të kësaj qeverie, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.
Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjiteti të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet. Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale. Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!”. Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë.Hiq dorëheqjen e Edi Ramës dhe fundin e qeverisë më të korruptuar në historinë e Europës.
Ndaj,të nderuar qytetarë,Bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve.